Armata e Republikës së Maqedonisë (ARM) më mirë punon me mungesë të 1200 ushtarëve profesionist dhe oficerëve, sesa këtë shifër ta plotësojë me shqiptarë. Për të mbërritur përfaqësimin e bazuar në Marrëveshjen e Ohrit në ARM duhen të punësojë të paktën edhe 900 shqiptarë. Meqë në ARM punojnë më shumë se 10 të mijë persona, do të duhej që 2 500 prej tyre të jenë shqiptarë. Shqiptarët në ARM përbëjnë rreth 18 për qind të punësuarve, ndërsa në Ministrinë e Mbrojtjes përqindja është më e ulët.
Ish zëvendës-shef i Shtatmadhorisë (SHM) së ARM-së, gjeneral-nënkolonel Adil Gazaferi thotë se gjendja e shqiptarëve në ARM është mjaft tragjike. “Fajtorë për gjendjen tragjike të shqiptarëve në armatë janë Ministri i Mbrojtjes, Zëvendës ministri i mbrojtjes, gjenerali i shtatmadhorisë dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI)”, thotë për “Lajm”, gjeneral Gazaferi. Ai sqaron se sipas Strategjisë së ARM-së deri në vitin 2007 ishte dash që të plotësohej përqindja e shqiptarëve me ushtarë profesionistë dhe me nën oficerë, ndërsa deri në fund të vitit 2010 edhe përqindja e oficerëve. “Asgjë nuk u realizua. Mungojnë edhe 150 oficerë shqiptarë. Edhe akademia ushtarake në vend që të pranojë kadet shqiptarë ajo plotësohet me kadetë maqedonas dhe kur të mbarojnë shkollën, ata sigurisht se do të zënë vendin e shqiptarëve”, thotë gjeneral Gazaferi. Ai sqaron se edhe oficerët shqiptarë që kanë mbaruar studimet në Shqipëri, Bullgari e Itali duhet të presin një vit që të punësohen.
“Zëvendës kryeministri Abdylaqim Ademi nuk morri asnjë këshilltarë që ta informonte për gjendjen në ushtri, që më pas të mund të kërkonte atë që i takon shqiptarëve në mbrojtje”, thotë Gazaferi, duke shtuar se kryeministri i ka dy këshilltarë që e informojnë për gjithçka. Ai thotë se në ARM ka më shumë oficerë serbë sesa shqiptarë.
Sipas strategjisë së re për mbrojtje struktura e ARM-së duhet të numërojë 4 700 ushtarë, 1.900 nënoficerë, 919 oficerë dhe 364 persona civilë në shërbim të ARM-së, si dhe 1 800 rezervistë. Ndërkaq, momentalisht ARM-së i mungojnë 1 200 ushtarë profesional dhe oficerë. Gjatë këtij viti, Ministria e Mbrojtjes nuk publikoi konkurs për pranim të ushtarëve të rinj. “Gjatë gjysmës së dytë të vitit 2011 do të publikojmë konkurs dhe do të pranojmë ushtarë profesionistë”, ka deklaruar Zoran Konjanovski, ministër i mbrojtjes.