“Do të investoj që tetovarëve t’u bëhet sa më keq, dhe sa më padurueshëm. Çdo ditë kur të pinë ujë, ai t’u duket si helm.
Çdo ditë kur të shihen në pasqyrë, do ta ndiejnë veten se janë tradhtarë dhe të shitur” me këto fjalë lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi i përgjigjet pyetjes së gazetës Dnevnik, në lidhje me fiaskon e tij në zgjedhjet lokale ku humbi dhe Tetovën.
“Shqiptarët në Tetovë u shitën, disa për t’i ruajtur vendet e punës, disa të tjerë për 500 denarë. Ata shpejt do ta kuptojnë se nuk ka humbur vetëm partia, por edhe ata. Në qoftë se donin të hakmerreshin ndaj meje, nuk e pranoj këtë.
Një pjese të tyre u them se janë tradhtarë, shpirtra të shitur dhe nuk kanë lidhje me moralin. Në të gjitha vendet tjera fituam dyfishin e votave, në krahasim me zgjedhjet paraprake, vetëm në Tetovë jemi në minus me 1000 vota.
Do të investoj që atyre t’u bëhet sa më keq, dhe e padurueshme. Çdo ditë kur të pinë ujë, ai t’u duket si helm. Çdo ditë kur të shihen në pasqyrë, do ta ndiejnë veten se janë tradhtarë dhe të shitur” thotë Thaçi në intervistën me “Dnevnik” duke theksuar se ai është krenar që për Sadi Bexhetin votuan 13700 shqiptarë nga Tetova, të cilët sipas tij, janë të ndershëm.
“Përgjigjem vetëm para atyre, ndërsa të tjerët i konsiderojë bërllokun e kombit tim. Shumë mirë që humbëm në Tetovë, sepse mendoj që tanimë tetovarët nuk mund të jenë më dyfytyrësh. Tetovarët kishin një arsye që të mos votojnë për mua dhe për Sadi Bexhetin, por kishin me qindra arsye që të mos votojnë për Ali Ahmetin dhe Teuta Arifin” thotë mes tjerash Thaçi.
Ai thotë se me dorëheqjen e tij i ka mashtruar shqiptarët që nuk e kanë votuar.
“Dorëheqja ime ishte vetëm mashtrim për shqiptarët dyftyrësh që votuan kundër neve. Pak bëra hajgare me ata. Absolutisht nuk ndjejë asnjë përgjegjësi ndaj atyre që u shitën, e ata janë shqiptarët e Tetovës të cilët kanë votuar për Ahmetin pa asnjë arsye”, ka thënë Thaçi.
Në lidhje me votimin në Strugë ai tha se nuk i kanë ndihmuar BDI-së në këtë qytet.