LajmeMaqedonia

Milaim Zeka: Në Kumanovë veç 3 shqiptarë të vrarë, 7 të masakruarit janë emigrantë nga Lindja e Mesme

Gazetari Milaim Zeka, i cili posa është kthyer nga Kumanova, ekskluzivisht për Telegrafin ka treguar se autoritetet maqedonase kanë spekuluar rëndë lidhur me numrin e të vrarëve, kurse kanë ushtruar dhunë të rëndë mbi të burgosurit dhe civilët.

Zeka thotë se nuk është e vërtetë që janë vrarë 14 luftëtarë shqiptarë nga grupi i armatosur, por janë vrarë gjithsej tre, kurse shtatë të tjerë janë emigrantë nga Lindja e mesme, të cilët autoritetet maqedonase i kanë vrarë dhe gjymtuar për të pamundësuar identifikimin e tyre.

“Ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska tha që janë 14 të vrarë, por sipas burimeve të sigurta në Kumanovë bëhet fjalë vetëm për tre shqiptarë të vrarë nga grupi i armatosur, kurse shtatë të tjerë janë refugjatë nga vendet e lindjes, mbase Sirisë që janë marrë dhe janë dërguar në Lagjen e Trimave, ku janë ekzekutuar e masakruar, sa që është e pamundur të identifikohen”, tha Zeka për Telegrafin.

Ai ka konfirmuar se në luftime janë vrarë vetëm tre shqiptarë, Mirsad Ndreca dhe Begë Rizaj dhe Xhafer Zymberi.

Zeka më tej ka rrëfyer për torturat që u janë bërë të burgosurve.

“I burgosuri Beg Bajra është tepër i torturuar sikurse edhe të tjerët. Nga lëndimet që u janë shkaktuar në fytyrë ka qenë e pamundur të bëhet edhe identifikimi i identiteti i tyre në gjykatë…”, tha Zeka.

Ai tha Prokuroria maqedone u ka ofruar të burgosurve të nënshkruajnë deklarata që të pranojnë fajësinë për terrorizëm, me çka do të dënoheshin deri në 15 vjet burgim, në të kundërtën, u është thënë se ndaj tyre mund të ngritet padi edhe më e rëndë me çka rrezikojnë dënim të përjetshëm.

Gazetari Zeka thotë se policia maqedonase ka maltretuar edhe popullatën civile.

“Janë maltretuar edhe civilë të verbër, duke i detyruar të qëndrojnë me orë të tëra në këmbë duke i kërcënuar se do tu hedhin nitroglicerinë në sy. Një të riu, që ishte i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit në Lagjen e Trimave, nuk i ishte ofruar ndihma duke i thënë se plagën e kishte të vjetër”, tha Zeka, duke rrëfyer tmerret e pamjeve që kishte hasur në Lagjen e Trimave, pas tërheqjes së policisë maqedonase.

Show More

Related Articles

Back to top button