KosovaLajmeMaqedonia

Monitorimi nga EUROSTAT-i në pikëpyetje

Meqë në prill të vitit të ardhshëm, regjistrimi i popullsisë do të bëhet edhe në vendet e tjera të rajonit, si Kosova, Bosnja, etj., vende këto që konsiderohen më problematike se Maqedonia, EUROSTAT do ta monitorojë regjistrimin në Maqedoni, vetëm në mënyrë simbolike. Ekspertët vlerësojnë se EUROSTAT nuk ka mundësi që ta monitorojë komplet regjistrimin, pasi atij nuk i lejohet që të këtë qasje tek Enti Shtetëror i Statistikave.

“Jo nuk ka mundësi që EUROSTATI ta monitorojë komplet regjistrimin. Edhe gjatë regjistrimit të vitit 2002 ata nuk e monitoruan komplet regjistrimin. Ata monitorojnë vetëm në terren, ndërsa te Enti i Statistikave nuk kanë qasje. Nuk janë në gjendje të hynë brenda, pasi nuk u lejohet”, tha demografi Asllan Selmani, i cili poashtu shpreh dyshime nëse Agjencia evropiane për statistikë do të ketë numër të mjaftueshëm të monitoruesëve vitin e ardhshëm për të monitoruar regjistrimin në Maqedoni. Selmani gjatë regjistrimit të vitit 2002 ka qenë pjesë e Komisionit shtetëror, por thotë se edhe Komisioni nuk ka asgjë në dorë. “Komisioni dhe EUROSTATI vetëm do të shohin a zbatohet Ligji në terren, a janë materialet të përkthyera në shqip, a ka gabime gjatë evidentimit, a respektohen standardet evropiane në teren”, thotë Asllani, duke shtuar se manipulime ka pas gjithmonë dhe do të ketë. Megjithatë ai është optimist, pasi siç thotë ai, edhe pse numri absolut i popullsisë do të bie, numri i shqiptarëve nuk do të lëvizë, ata do të dalin, ose njëjtë, ose më shumë.

Nga Qeveria pohojnë se EUROSTAT do të bëjë monitorim të lehtë të regjistrimit.

“Qeveria ka angazhuar Entin Shtetëror për Statistikë që të kërkoj vëzhgim të regjistrimit të popullsisë nga organizata EUROSTAT. Kërkesa është dërguar dhe EUROSTAT do të bëjë monitorimin e regjistrimit. Do të ketë një monitorim të lehtë”, tha zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha. Ai sqaron se regjistrimin do ta bëjë Enti Shtetëror për Statistikë, në bashkëpunim me Komisionin për regjistrimi. Po ashtu edhe nda Enti Shtetëror për statistikë kanë paralajmëruar se EUROSTAT do të bëjë një monitorim të lehtë të regjistrimit, që nënkupton se do të ketë një numër të kufizuar të vëzhguesve të EUROSTAT-it.

Në ndërkohë, “Lajm” kontaktoi me EUROSTAT dhe ata paralajmëruan se javën e ardhshme do të tregojnë detaje për numrin e monitoruesve, llojin e monitoringut, etj.

Pjesëmarrja e EUROSTATIT në monitorimin e regjistrimit të popullsisë varet nga oferta që do t’ia bëjë Enti Shtetëror për Statistikë.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button