www.Zemra.Org

Mosmarveshje ndërmjet banorëve të fshatit Zdunje (VIDEO)

zdunjeBanorët e fshatit Zdunjë të komunës së Gostivarit kanë protestuar mbrëmë pas namazit të akshamit, kundër iniciativës së bashkëfshatarëve të tyre maqedonas, për të ndërtuar një kryq në oborrin e kishës “Shën Gjergji”.

Bëhet fjalë për një kryq të madh të përmasave 12 metra i lartë dhe 5 i gjerë. Ata shprehen se, leje nuk kanë marrë nga komuna dhe as nga kryesia e fshatit dhe se kjo iniciativë bëhet kokë në vete nga banorët.

“Ne sonte kemi dalë për të treguar se në këtë fshat jetojnë mbi 90 % myslimanë, dhe ne nuk e tolerojmë atë të bëhet një kryq i tillë në fshatin tonë. Këtë kryq e kanë filluar kokë në vete. Prej kryetarit të Gostivarit kërkuam përgjigje, leje nuk ju ka dhënë. Ky është 100 % provokim.”

“Mendojmë se janë anëtarët e VMRO-së që duan të marrin pikë më shumë. Paraqiten si kundërshtarë të fesë.”

“Ne këtu kemi jetuar edhe me maqedonasit edhe me turqit edhe me shqiptarët, s`kemi pas probleme, por nëse mendojnë tash të bëjnë provokim, do të ketë problem.”

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Gostivarit Nevzat Bejta është shprehur se nuk është në dijeni të këtij aktiviteti. Ai dërgoi inspektoratin për ndërtim dhe bllokoi punimet për ngritjen e kryqit.

“Si kryetar komune veprova menjëherë siç duhet vepruar në pajtim me ligjin, dërgova inspektoratin e urbanizmit i cili doli në teren dhe konstatoi gjendjen reale, pasi panë bazamentin e betonit, inspektorati i urbanizmit ka sjellë akt-vendim për ndërprerjen e punëve në kishën e Shën Gjergjit, duke dhënë afat për largimin e fondamentit prej betoni të armuar që është ndërtuar pa leje. Tjetra është se komuna e Gostivarit nuk ka pranuar asnjë kërkesë nga kisha për tu ndërtuar ndonjë objekt i tillë”, tha Nevzat Bejta, kryetar i komunës së Gostivarit.

Ekipi i televizionit Alsat kontaktoi përmes telefonit edhe me priftin përgjegjës të kishës dhe me kryetarin e këshillit nismëtar për ndërtimin e kryqit. Të dy refuzuan të deklaroheshin për ngritjen e kryqit, por thanë se do të dalin me informata sqaruese, me një konferencë për shtyp, këto ditë.

Exit mobile version