www.Zemra.Org

Mungesa e dialogut sjell tension parazgjedhor

Partitë më të mëdha maqedonase VMRO- DPMNE dhe LSDM në fillim të javës së ardhshme pritet të fillojnë dialog për të ulur tensionet, mirëpo deri tani nuk ka asnjë sinjal se një dialog i atillë mund të fillojë mes partive shqiptare.

Partia në pushtet, VMRO-DPMNE nëpërmjet një komunikatë me shkrim i ka bërë ftesë liderit të LSDM-së opozitare, për takim dypalësh për të diskutuar lidhur me zgjedhjet e parakohshme. Ftesa me emrin e liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski i është adresuar liderit të LSDM-së, Branko Cërvenkovski, në të cilën kërkohet një takim kokë më kokë, për të diskutuar për çështjet e hapura rreth zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni. Ndërkaq dialogu në bllokun politik shqiptarë akoma nuk ka nisur. Sipas analistëve kjo tregon se partitë shqiptare kurrë s’mund të merren vesh. “Mos nisja e dialogut dëshmon se partitë shqiptare kurrë nuk munden të ulen e të merren vesh. Se armiqësia tek ato shkon deri në fund për dallim nga partitë politike maqedonase të cilat edhe kur janë në kundërshtim politik, ia dalin të ulen dhe të bisedojnë në mes veti. Kjo tregon për ne shqiptarët se sa jemi radikal ndaj njëri tjetrit dhe sa jemi të butë ndaj partnerëve maqedonas”, tha Kim Mehmeti, analist. Ai vlerëson se mungesa e dialogut do të krijojë situatë të tensionuar parazgjedhore te shqiptarët. Kurse VMRO-ja konsideron se ky takim me LSDM-në është në interes të zgjedhjeve të parakohshme. “Kjo nismë e kryetarit të Gruevski është në interes të zgjedhjeve dhe prioriteteve të Maqedonisë”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së, në të cilën kërkohet që Cërvenkovski të vërtetojë kohën dhe datën e takimit gjatë javës së ardhshme. LSDM-ja opozitare pranoi ftesën e kryeministrit por ai gjithashtu ftoi për mbajtjen e takimit të liderëve. Cërvenkovski akuzoi se ideja për takimin ishte e tij dhe se do ta thoshte të njëjtën në konferencën për shtyp, të caktuar gjatë ditës së premte, por sipas tij pushteti e përgjoi dhe ia transmetoi idenë kryeministrit. “LSDM u tregua konstruktive me atë që nuk propozoi Tanja Alltanxhievën për kryetare të KSHZ-së, por e propozoi Boris Kondarkon, me çka tregohet se partia jonë do zgjedhje tani, por jo me kushtet e Gruevskit”, tha Cërvenkovski. Ai shtoi se nëse qeveria do ta votojë kryetarin e KSHZ-së pa opozitën, zgjedhja e tillë do të jetë legale por jo legjitime. Sipas tij zhbllokimi i xhirollogarisë së Televizionit A1 dhe mediave tjera të pronarit Velija Ramkovski nuk do të jenë më pengesë për bisedimet ndërpartiake.

Exit mobile version