Për spanjollët që dashurojnë futbollin dhe spektaklin, dita e djeshme ishte një ditë mjaft e veçantë. Protagonistë të këtij show ishin teknikët e dy prej ekipeve më të mira në Gadishullin Iberik, Pep Guardiola dhe Hoze Murinjo. I pari ishte në qendër të vëmendjes, pasi udhëtoi drejt Valencias (në “Mestalla”, Barça e luajti mbrëmë takimin e radhës në La Liga) edhe pse ishte më dhimbje shpine. Ndërkohë, sa i përket portugezit, duhet thënë se ka nxehur mjaft atmosferën në Valdebebas, pasi në konferencën për shtyp që mbajti dje, i tha një gazetari të “Publico” se ishte hipokrit dhe më pas u pendua duke i kërkuar falje tri herë radhazi.
Burracakët dhe thesi i boksit
Gjatë konferencës për shtyp, Murinjo kishte për të tërë ata që nuk shikojnë botën sipas syve të tij. Portugezi la të kuptohej se “lufta e ftohtë” midis Realit dhe Barçës ende nuk ka mbaruar. “Unë nuk u ankova për kalendarin pas barazimit me Deportivon, pra pas një rezultati negativ. Unë isha ankuar kohë më parë dhe ai që tregon të kundërtën, është gënjeshtar. Ne sot jetojmë në një botë paksa hipokrite. Vetëm tani na doli kalendari i fundjavës. Barcelona, të martën e ardhshme, do të luajë me Arsenalin në shtëpi, ndërkohë që të dielën do të luajë në Sevilje. Ndërkohë që Valencia, që do të luajë të mërkurën, do të luajë të shtunën në Saragozë. Pra, Barcelona që luajti të dielën në darkë, do të zbresë sonte (dje) në fushë për të sfiduar Valencian që luajti të dielën. Prandaj, unë ju them, nëse doni të bëheni hipokritë, është problemi juaj, unë nuk dua të etiketohem si i tillë. Unë preferoj që të kthehem në një thes boksi dhe të goditem nga të gjithë burracakët e mbledhur së bashku. Unë jam lindur dhe rritur me këtë frymë, unë nuk kam frikë të them të vërtetën. Tani e di shumë mirë se nesër, një bandë burracakësh do të fillojë që të më sulmojë, por unë do të ec në rrugën time”.
Diferenca
Sot në “Bernabeu” do të vijë Malaga e Pelegrinit. Malaga e kilianit do të jetë rivali i ardhshëm i Realit në kampionat dhe deklaratave të Pelegrinit se një sezon më parë, Reali i tij kishte më shumë pikë se ai i Murinjos, portugezi iu përgjigj: “Dua t’ju them dy të vërteta. Pa dyshim që nuk mund të them asgjë për sa i përket renditjes së Realit një vit më parë. Por nga ana tjetër, dua t’ju kujtoj se ai Real ishte eliminuar që në fazën e parë nga Kupa e Mbretit, ndërkohë që në Ligën e Kampioneve do të luante takimin e dytë, pas humbjes që pësoi në Lion. Pas këtyre fakteve dua t’ju them se unë, ndryshe nga Pelegrini, nëse një ditë më largojnë nga Reali, kurrë nuk do të stërvitja Malagën. Nëse më largojnë, unë do të shkoj të stërvit ndonjë ekip në Angli ose në Itali”. Nga ana tjetër, pas këtyre deklaratave tekniku kilian nuk preferoi që t’i kundërpërgjigjej Murinjos, edhe pse nga ana e vet ka shifrat. Nën drejtimin e Pelegrinit, Reali bëri vjet zezonin më të mirë, pasi përfundoi kampionatin në vendin e dytë me 96 pikë të grumbulluara. Reali i vjetshëm gjithashtu shënoi plot 102 gola në La Liga. Shifra këto që vetëm Barça mundi t’i thyente (blaugranët morën vendin e parë me 99 pikë të grumbulluara).
Kaka kërkon kohë
Më tej, Murinjo foli edhe për Kakanë. Tekniku portugez nuk kërkoi që të komentonte praninë e Bosko Leites (babai i numrit tetë madrilen) në San Siro gjatë ndeshjes Milan-Napoli. “Kur u kthye Kakaja, folëm për një dëmtim që e mbajti jashtë fushave për 6 muaj. Por, në fakt, duhet të flisnim për një dëmtim që në të vërtetë e vuajti për 18 muaj. Them kështu, pasi prej një viti e gjysmë Kaka nuk është në formën e tij më të mirë, vetëm për faj të problemeve fizike. Ai ka luajtur me dhimbje. Ai ka pasur problem, një hernie që pasi u kurua, nuk u mendua për konsekuencat që do të linte në gju. Kaka ka vuajtur prej shumë kohësh. Së bashku me të ka vuajtur edhe talenti i tij, po ashtu edhe loja e tij. Unë e di që për të nuk është një situatë shumë e lehtë. Kur ai u rikuperua nuk mendoja se do të rikthehej menjëherë në nivelet kur luante me Milanin (fitoi edhe Topin e Artë). Tani për tani ai po kalon një proces normal, natyral dhe të vështirë. Kaka gjithmonë stërvitet shumë mirë dhe kur zbret në fushë, kërkon të japë maksimumin. Në disa ndeshje ka shfaqur një futboll të mirë, prandaj unë dua që t’i jap mbështetjen time. Unë do t’i jap mundësinë që ai të rikuperohet dhe të përmirësohet edhe më shumë. Ai është një lojtarët dhe person fantastik. Me të duhet të kemi durim dhe ta lëmë që të punojë. Nga ana ime ai nuk do të ketë presion”, – tha Murinjo.