Forcat e NATO-s do të qëndrojnë në rajonin e Kosovës edhe shumë vite të tjera, ka deklaruar të shtunën komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler, në Graçanicë me rastin e hapjes së Qendrës për lidhje dhe monitorim të KFOR-it, transmeton gazeta serbe “Blic”.
“Është fakt se po zvogëlohet numerikisht prezenca jonë, por Kosova mbetet një nga rajonet më të rëndësishme të prezencës së forcave të NATO-s në botë”, ka thënë Buhler.
Ai ka deklaruar se KFOR-i do të mbetet forca kryesore e sigurisë në Kosovë, me gjithë faktin se po zbatohet bartja e kompetencave në Policinë e Kosovës dhe në institucionet kosovare.
“Me gjithë zvogëlimin e theksuar të pjesëtarëve të KFOR-it, siguria në Kosovë nuk është zvogëluar. KFOR-i mbetet i përkushtuar në ruajtjen e sigurisë së plotë të të gjithë qytetarëve, të manastireve serbe dhe të traditës shpirtërore serbe”, ka thënë Buhler.
Ai ka paralajmëruar se së shpejti në Nish do të takohet me përfaqësues të ushtrisë serbe dhe se në atë takim nuk do të shqyrtohet çështja e bartjes së sigurimit të kufijve të Kosovës Policisë kosovare, shkruan gazeta serbe “Blic”.
Në përgjegjësi të KFOR-it dhe ushtrisë serbe mbetet çështja e sigurimit të kufijve, ka thënë Buhler, duke shtuar se mandati i KFOR-it është i rregulluar me marrëveshjen e Kumanovës dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.