Houston, vajza e artë e industrisë muzikore, nga mesi i tetëdhjetave deri kah fundi i nëntëdhjetave ishte një nga artistet më të kërkuara anekënd botës.
Ajo joshi publikun me vokalin e saj të fuqishëm, të ëmbël dhe të pashoq. Suksesi i saj nuk u kufizua vetëm në muzikë, pasi ajo luajti edhe në filmat, si “The Bodyguard”, “Waiting to Exhale” e “The Preacher’s Wife”.
Whitney frymëzoi një armatë të tërë këngëtaresh, duke filluar nga Mariah Carey e deri te Christina Aguilera.
Mirëpo, fundin e karrierës ia sollën problemet dhe vartësia nga droga. Ajo abuzonte me kokainë, marihuanë, ekstazi… që ia humbën shkëlqimin, imazhin dhe padyshim edhe fuqinë e zërit.
Albumi debutues i Houston mbante pikërisht emrin dhe mbiemrin e saj (“Whitney Houston”, 1985) ndërsa shiti miliona kopje dhe fitoi disa çmime. Pasoi “Whitney” (1987) tjetër album ‘multiplatin’. Në vitin 1992, përveç kritikave pozitive si aktore në filmin “The Bodyguard”, ku luajti krahas Kevin Costner, ajo e shndërroi në hit të pavdekshëm këngën e Dolly Parton, “I Will Always Love You”.
Një tjetër hit-album ishte “My Love Is Your Love” (1998), mirëpo gjatë kësaj kohe ajo abuzonte me droga dhe kishte probleme jetësore, sidomos gjatë martesës me Bobby Brown. Ajo shkoi disa herë në rehabilitim, duke tentuar që ta rikthente karrierën e saj. Dhe pikërisht këtë e bëri në njëfarë mënyre me albumin “I Look To You” (2009), mirëpo koncertet e drejtpërdrejta të saj ishin një dështim, pasi Houston kishte humbur fuqinë që të këndonte ‘live’.
Kohët e fundit është spekuluar se ajo humbi gjithë pasurinë, ndërsa nuk kanë qenë të rralla rastet kur është sëmurë.
Këngëtarja legjendare lindi më 9 gusht 1963 në Newark të New Jerseyt, ndërsa gjatë karrierës, ndër të tjera ka fituar gjashtë çmime Grammy, dy çmime Emmy, si edhe 30 ‘Billboard Music Awards’.