www.Zemra.Org

Në Gostivar shteti nuk ka investuar më shumë se 5 vjet

Në Komunën e Gostivarit jo vetëm që nuk është bërë asnjë investim shtetëror në pesë vitet e fundit, por ka pas dhe obstruksione nga ana e Qeverisë. Kryetari i Këshillit të Komunës së Gostivarit, Fadil Zendeli thotë se pushteti qendror jo vetëm që nuk ka investuar në Komunën e Gostivarit, por është përpjekur që me mënyra të ndryshme të bëjë edhe obstruksione. “Për tre vjet asnjë institucion shtetëror nuk ka investuar asgjë në komunën tonë. Kemi gjet ndihmë tek institucionet ndërkombëtare për të realizuar qëllimet tona”, thotë Zendeli, duke shtuar se tenderët për ujësjellësin e Gostivarit shtyhen vazhdimisht. “Ju e dini se Gostivari ka një problem shumë vjeçar me ujin e pijshëm. Harxhohen me qindra e miliona  euro për përmendore dhe nuk ndahen 4 milionë euro për ujësjellësin”, thotë ai.
Edhe eksperti i çështjeve ekonomike Xhevdet Hajredini thotë se në Gostivar viteve të fundit nuk ka pasur investime nga shteti. “Shteti i ka diskriminuar komunat shqiptare në aspektin e transfereve kapitale nga buxheti, jo vetëm brenda këtyre pesë viteve, por brenda 20 viteve. Kështu që nuk mund të flitet saktë se në cilën komunë më shumë, e në cilën më pak, pasi investime nuk ka as në Tetovë, as në Dibër, as në Strugë. Të gjitha mjetet e buxhetit të shtetit, buxhet ky që ushqehet edhe nga taksapaguesit shqiptarë janë ndarë vetëm në komunat maqedonase”, thotë Hajredini. Ai sqaron se investime të huaja gjatë pesë viteve të fundit nuk ka pasur jo vetëm në Gostivar, por në të gjithë Maqedoninë, pasi, siç thotë ai, Qeveria e Nikolla Gruevskit nuk diti ti tërheqë ato. “Për të marrë atë që u takon shqiptarëve nga buxheti nuk ka pas vullnet politik as nga subjektet politike shqiptare që kanë qenë në Qeveri. Ato nuk kanë qenë të afta që një pjesë të mjeteve të buxhetit ta destinojnë në komunat shqiptare. Shqiptarët nuk duhet të presin që Nikolla Gruevski të ndajë mjete në komunat ku ato jetojnë, po nuk e detyroi dikush”, thotë Hajredini, duke rikujtuar fjalorin banal të Nikolla Gruevskit në një tubim politik, se “nuk do të lejojmë që komunat e Maqedonisë Veriperëndimore të na i udhëheqin komandantë që helmuan ujërat”. Hajredini thekson se elita politike maqedonase, asnjëherë nuk ka lëshuar pe ndaj kërkesave të shqiptarëve pa pas presion nga jashtë. “Kushtëzimi i hyrjes në qeveri, nuk besoj se do të ketë sukses. Subjektet politike shqiptare duhet të kërkojnë se kush sa do të marrë  nga buxheti, veçanërisht duke pas parasysh se një miliardë euro në vit vinë nga shqiptarët që punojnë në botën e jashtme dhe janë shtylla e vetme dhe kryesore në stabilitetin makroekonomik të Maqedonisë”, thotë ai, duke shtuar se subjektet politike shqiptare nuk kanë as kapacitet profesional, as vullnet politik që ta realizojnë këtë. Hajredini thotë se shqiptarët nuk presin që Gruevski ti ndihmojë, shqiptarët presin që ai të mos i diskriminojë.

Exit mobile version