Përveç problemit me lëndën e historisë, e cila ligjërohet në gjuhën maqedonase dhe nuk mësohet për elementet shqiptare, studentët e fakultetit pedagogjik në Shkup gjithashtu ballafaqohen me profesor jo adekuat.
Në fakultetin pedagogjik në, lëndën e metodikës së medieve dhe letërsisë së fëmijëve e ligjërojnë asistentët pasi që nuk ka profesorë. Shqefqet Zekolli, udhëheqës i sektorit për arsim në komunën e Çairit thotë se inspektorat duhet të reagojnë menjëherë në lidhje më këtë çështje. “Nëse studentëve ju ligjërojnë asistentët e jo profesorët do të ulët niveli i kualitetit të ligjëratës. Profesorët të cilët kanë dalë në pension duhet menjëherë të zëvendësohen me profesor tjerë”, tha Zekolli. Ai shtoi se Ministria e Arsimit ende nuk ka lëshuar konkurs për pranimin e profesorëve në këto dy lëndë. “Nëse kjo situatë vazhdon kështu, studentët janë ata që do të pësojnë, sepse ligjëratat nuk mund t’i mbajnë asistentët por duhet të ketë profesor adekuat”, tha Zekolli. Gjithashtu kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë (LASH), Nuhi Dardhishta thekson se kështu bie kualiteti i arsimtarëve të rinj. “Situata në fakultetin pedagogjik është mjaft negative dhe ndikon negativisht në njohuritë e studentëve, sepse aty ku nuk ka kuadër adekuat aty s’ka as mësim adekuat”, tha Dardhishta. Sipas tij këta studentw pasi të kryejnë fakultetin dhe të punësohen si mësimdhënës do të hasin në probleme të shumta. “Po që se mësimi nuk është zhvilluar ashtu si duhet këta student të cilët në të ardhmen do të bëhen arsimtarë të rinj do të hasin në probleme pasi që nuk do të kenë njohuri aq sa duhet për t’i mësuar nxënësit”, theksoi Dardhishta. Një ndër parregullsitë e këtij fakulteti e cila u publikua pak më parë ishte edhe lënda e historisë, ku studentët e këtij fakulteti nuk mësonin për historinë shqipe por për atë nacionale maqedonase, për të cilën skandal kishte mjaft reagime nga ana e intelektualëve shqiptarë të cilët vlerësuan se elementi shqiptarë shkon duke u dobësuar pasi që mijëra student të grupit parashkollor dhe klasor që janë shkolluar në fakultetin pedagogjik në Shkup asnjëherë nuk kanë dëgjuar asgjë nga historia e tyre kombëtare, pasi që kanë qenë të obliguar të mësojnë historinë nacionale maqedonase.