BotaLajme

Nehat Llovca, shpëtimtari i aeroplanit të linjës Cyrih-Prishtinë

aeroplaniE shtuna e 10 majit për pak sa nuk u bë ditë zie për Zvicrën, por edhe për Kosovën.

Dashnim HEBIBI

Siç jemi njoftuar nga disa medie, aeroplani i kompanisë ajrore «Air Berlin», i linjës Cyrih-Prishtinë, i cili ishte nisur në orën 06:50 me 150 pasagjerë në bord, i shpëtoi më të keqes falë sportistit të njohur Nehat Llovca, i cili jeton dhe vepron në Solothurn të Zvicrës. Nehati, enkas për portalin tonë, na e tregon rrëfimin rrëqethës të atij mëngjesi, që nuk do ta harrojë deri në vdekje.

«Isha i lodhur në mëngjesin e së shtunës, meqë të premten deri vonë isha i zgjuar, pra nuk kisha fjetur mirë. Kështu edhe e kam sa herë që shkoj në vendlindje, nuk rehatohem tërë natën, nga dëshira e madhe për të shkuar në atdhe. Kjo sigurisht i ndodh çdo mërgimtari. Me t’u afruar në aeroport, si zakonisht, duhet vërtetuar biletën dhe çështjet tjera që çdo udhëtar i ka për detyrë. Meqë isha i lodhur, gjumi më kishte kapur para se të nisej aeroplani. Isha ulur në mes të aeroplanit. Dëgjoja zëra të ndryshëm, edhe britma, por më dukej vetja se jam në ëndërr. Por, zërat rriteshin gjithnjë e më shumë, prandaj më doli gjumi. E pashë veten me rripin e sigurisë dhe përnjëherë më shkoi dora për ta hequr atë. Shihja njerëz me lot në sy, të mëdhenj e të vegjël duke qarë, kurse në hyrje të aeroplanit, te dera e parë, një person ishte në këmbë dhe e kishte një shishe në dorë dhe herë pas here shihej drita e shkrepëses. U mundova ta qetësoja veten, apo ta freskoja nga gjumi, por menjëherë trupi m’u rrëqeth kur dëgjova zërin e atij personi që ishte në këmbë dhe bërtiste: ‘Allahu ekber! Do të shkojmë në xhenet të gjithë!’. Nuk e di se si kam shkuar deri tek ai, ngase isha në mes të aeroplanit dhe sapo i jam afruar nuk e kam pyetur asgjë, por vetëm se e kam kapur fort. I thashë që të mos lëvizte.

Aeroplani ishte në fluturim e sipër. Stjuardesat më thanë se ky person i ka kërcënuar, ndërkaq deshi të futej me dhunë te piloti, kurse ne na kërcënonte vazhdimisht që të mos lëviznim, e nëse e bëjmë ndonjë hap, aeroplani do të shkonte në erë. Personi në fjalë e dinte gjermanishten. Ishte aty ndërmjet 35-40 vjeç. Se nga ishte, nuk e di. Nuk e pyeta as për emrin, as se nga vjen. Doja ta ndaloja që të mos e bënte më të keqen. Prandaj, nuk më interesonte se kush është, por vetëm të mos e bënte atë që donte. Të them sinqerisht, se nuk e dija se ku jam, më bëhej sikur jam diku në tokë. Nuk e godita, por e mora me të mirë që të qetësohej, të mos lëvizte, kurse ai gjithnjë lëvizte dhe më kërkonte që ta liroja. Kur e pashë se po përpiqej të lëvizte dhe nuk kishte gjasa që të më sulmojë, sepse u mundohej ta bënte këtë, menjëherë u detyrova ta shtrija për toke.

Kur e shtriva në korridorin e aeroplanit, njëra nga stjuardesat m’i afroi prangat dhe e lidha. Më pastaj njerëzit filluan të qanin edhe më shumë, sidomos fëmijët, vajzat dhe gratë. Por, qanin edhe stjuardesat. U thashë të rrinin rehat, ngase gjithçka është ‘ok’. Sa e mbaj ashtu të shtirë, ai më kërkonte ta liroja, se tani do të sulmonin shokët që kinse i kishte në aeroplan. Në fakt, ai nuk kishte shokë, por dëshironte të më mashtronte. Unë nuk e liroja, duke i thënë ‘ok, në rregull, le të vijnë shokët tu, t’i shohim kush janë ata’. Por, sinqerisht ju them më dukej se ishte i ngarkuar psikikisht. Prandaj, nuk mund të them se ishte i sëmurë psikik, sepse nuk e di dhe nuk e njoh personin, por një njeri me gjendje të mirë nuk e bën një gjë të tillë rrezikshme e shumë të rëndë, duke u përpjekur ta bëj më të keqen. Personi nuk kishte mjekër».

Në pyetjen tonë se çfarë kishte në shishe, Llovca na u përgjigj:

Nehat Llovca

«Për besë, nuk e di, por e pashë se ishte me ujë, e çfarë ka pasur aty nuk e di, ngase nuk e kisha mendjen se çfarë ka aty, por doja që të mos ndodhte më e keqja. Fati që u zgjova menjëherë dhe e ndala. Edhe stjuardesat ishin në ankth të vërtetë. Ato qanin pandërprerë që të gjitha. Më quanin hero. E nga mesi i aeroplanit, e dëgjoja edhe emrin tim duke më thirrur, ‘mbaje, mos e lësho, deshi të na mbysë të gjithëve’. Lartësia ishte e madhe, kurse unë nuk shihja asgjë, por dëgjoja britma dhe mendjen e kisha te ai që të mos më zgjohej. E kam mbajtur. Sapo arritëm në Prishtinë, menjëherë erdhën policët dhe e morën. E Policia më falënderoi dhe deshën ta marrin emrin tim, përkatësisht të dhënat e mia. U thashë që nuk ka asnjë problem, ngaqë unë kam ardhur në vendin tim, kurse fati deshi që nuk ndodhi më e keqja. Jam sportist dhe falë Perëndisë, që isha shumë i shpejtë, të gjithë janë mirë dhe nuk ka asgjë të keqe. Piloti më përqafonte, bashkë me ndihmësin, sikur edhe i gjithë ekipi i aeroplanit. Dilnin në foto me mua edhe pasagjerët. M’u duk vetja vërtet një hero.

Ata që ishin në fillim të aeroplanit kishin pasur edhe më shumë trishtim, e aty ishte edhe këngëtari Muhamet Sejdiu. E pashë këtë me sytë e mi. Vërtet shumë përjetim i keq, që nuk do ta harroj. Nuk e kisha pritur kurrë që të ndodhte kjo. Por, njeriu sheh dhe përjeton gjithçka. Falë Zotit jemi mirë. Arrita në Gjilan, në familjen time, për dy-tre ditë, dhe kthehem përsëri në Zvicër për të jetuar e punuar. Nuk e kuptoj pse ndodhi kjo?! Sigurisht, se Policia do t’i japë informacionet në detaje në lidhje me këtë që ndodhi të shtunën në mëngjes», e përfundon rrëfimin e tij Nehat Llovca, heroi i kësaj aventure të rrezikshme në qiellin e Zvicrës, më 10 maj të këtij viti. Nehat Llovca është nga Llovca e Gjilanit, bashkë me familjen e tij jeton dhe vepron në Zvicër. Është sportist i njohur në karate, kik-boks dhe tay-boks. Rrëfimin ai na e dha nëpërmjet telefonit nga Gjilani, ndërkaq i përshëndeti të gjithë ata persona që atë ditë qëlluan në aeroplan, si dhe familjet e tyre.

E këngëtari Muhamet Sejdiu deklaroi:

Muhamet Sejdiu

«Nuk mundem me e përshkru. Ishin momente të vështira. Nuk ka lojë me jetën. Sigurisht janë inçizimet nga piloti, se besoj, ka kamera në kabinë të aeroplanit. Vërtet trupi më dridhet kur po e kujtoj. Unë isha në ulëset e para të aeroplanit. Kam shumë për të thënë, por po i them vetëm disa fjalë. Sikur të mos ishte Nehat Llovca, sigurisht kishte me ndodh më e keqja. E falënderoj shumë Nehatin. Nehatin e njoh që moti, ai është sportist i dëshmuar dhe shumë shpejt reagoi. E pastaj e mori policia e Kosovës. Nuk i kisha dashur askujt ti ndodh kjo, që na ka ndodhur neve. Shumë gazetarë po na pyesin se si ka ndodhur.  Ta them të drejtën, kur e pash në disa medie këtë lajm u habita, thash sa shpejt shkon lajmi. Kryesore nuk ndodhi asgjë e keqe. E papërshkrueshme», e përfundon rrëfimin e tij përmes telefonit këngëtari i njohur Muhamet Sejdiu.

Show More

Related Articles

Back to top button