Nëse nuk do të isha bërë këngëtar, do të isha bërë basketbollist
Një mashkull i pashëm, i gjatë, mjaft i njohur, e mbi të gjitha shumë i qeshur, siç është Shpat Kasapi, nuk mund t’i shpëtojë syrit të askujt në Tiranë.
Ju jeni një artist i ri, që në fakt e keni nisur shumë herët këngën? Çfarë kujtoni nga fillimet tuaja?
Po, e kam nisur që herët rrugën e muzikës, me festivalet e fëmijëve, madje edhe këtu në Tiranë. Ruaj shumë gjëra mbresëlënësë, hapat e parë, çmimet…. Më tej pjesmarrjen tek “Këngët e stinës” në vitin 2002 ku këndova dhe fitova çmimin e parë më këngën “Lajka nuk di”. Ishte befasi e madhe për mua.
Pas kësaj kënge, i mësuat lajkat?
Po, sigurisht, tani lajka, ka(qesh)….Më tej kam pasur një pjesmarrje të mirë në konkurrime, në Alb Fest, Nota Fest, Top Fest, kam fituar çmime të para, çmimet e publikut, interpretuesit më të mirë, etj. Kam fituar çmime nga të gjitha komponentët e këngës e kjo më shtyu më tutje me muzikën, që të mos i zhgënjej fansat e mi. Shihja interesimin e tyre dhe mendoja se si mund ta bëja më mirë. Pra të ndryshoja për mirë…
Dhe keni ndryshuar?
Sigurisht, unë e pëlqej ndryshimin, kam ndryshuar mjaft që nga fillimet e mia. Kjo lidhet edhe me faktin se unë pëlqej mjaft të bashkëpunoj me kompozitorë të ndryshëm. Kështu kam bashkëpunuar me krijues, sidomos nga Kosova dhe Maqedonia, por kompozoj edhe vetë. Dua që të eksperimentoj me zhanret, sepse edhe njerëzit janë të ndryshëm dhe pëlqejnë zhanre të ndryshme…
Po ty, çfarë të pëlqen më shumë?
Pasioni im shpirtëror lidhet me R&B, madje albumi im i parë ka qenë i tillë. Pastaj mora pjesë në envenimente të ndryshme me krijime pak më orientale, latine dhe publiku e mirëpriti këtë ndryshim. Nga bisedat që bëja me kompozitorë të ndryshëm, menduam se duhej të provonim edhe me një stil apo frymë tjetër….
Ku është çelësi i suksesit të Shpatit?
Varet se sa i jep rëndësi kësaj pune. Mendoj se më kanë ndihmuar edhe ftesat për koncerte të ndryshme në Itali, Greqi, Diasporë, Gjermani, Zvicër. Nga aty e kupton se sa fort të pëlqejnë njerëzit. Nuk e them rastësisht këtë gjë, pasi gjatë këtyre koncerteve publiku të rrethon, të duartroket dhe të jep sugjerime. Këto sugjerime gjithmonë janë dashamirëse dhe të ndihmojnë të bësh përpara.
Ndalove pak tek pianoja që gjendet këtu….. Ju pëlqen të luani në piano?
Po, shumë, dhe di të luaj mirë në piano. Kam ndjekur për tre vjet mësime private për piano dhe solokëndim. Është instrument relaksues, që në kohën e lirë më bën të ndihem mirë me tingujt e saj…
Ju shquheni si këngëtar mjaft i paraqitshëm, sa e vlerëson këtë pjesë?
Paraqitja e jashtme është si motori për një veturë. Gjëja e parë që rrezonon tek çdo kush, e sidomos tek një këngëtar, është paraqitja e jashtme, por normal që spikat sidomos zëri, teknika. Mendoj se cilësitë vokale dhe teknike janë të pazëvendësueshme për një këngëtar, por meqë më pyetët për pamjen e jashtme, mendoj se edhe veshja, grimi, flokët kanë rëndësinë e tyre…Janë shumë gjëra që e plotësojnë një këngëtar.
Nëse nuk do të ishe bërë këngëtar, çfarë mendon se mund të ishe bërë?
Definitvisht do të isha bërë basketbollist. E kam dashur basketbollin, që kur kam qenë fëmijë. Unë 12 vjeç luaja me 18 vjeçarët dhe dallohesha për saktësinë dhe fuqinë goditëse të topit. Të gjithë më thërrisnin që të luaja me ta. Nuk e kam tradhëtuar asnjëherë këtë sport, është sport relaksues dhe vazhdoj ta dua shumë. S’ka asnjë dyshim se do të isha bërë basketbollist.
Thathetheme pa fund për artistët, ti sa ndikohesh prej tyre?
Janë pjesë e show bizit dhe si çdo profesion që ka marketingun e tij, edhe profesioni ynë ka marketingun e tij që është pikërisht show bizi. Është liria e gazetarit për të kërkuar në jetën private të personazheve, është liria e tyre te shkruajnë për këtë temë, por ama duhet të jenë thashetheme të vërteta.
Lidhja me Afërditën?
Është fakt, jemi të fejuar, nuk është thashethem!
Dhe kjo është unaza e fejesës?
Sa e vëmendshme që je!!!!!(qesh), sigurisht që është unaza e fejesës.
Keni bërë ndonjë duet me Afërditën që e keni realizuar në një koncert për diasporën?
Thashethem. Me Afërditën nuk kam bërë dhe nuk kemi programuar akoma për një duet. Ne kemi pasur koncerte të përbashkëta, por nuk kemi pasur këngë të përbashkëta. Po ju them një sekret: do të bëjmë duete, por me këngëtarë të tjerë!
Cilat janë disa nga anët më pozitive dhe më negative të karakterit të Shpatit?
Shpesh bëhem shumë kokëfortë. I adhuroj njerëzit e sinqertë dhe përpiqem që edhe unë të jem sa më i sinqertë me të sinqertin. Atë që më gënjen, thjesht e injoroj. Kam një mangësi të madhe që iu besoj shumë njerëzve. Për këtë arsye, më ka ndodhur të lëndohem jo pak. Por jam natyrë miqësore dhe i vlerësoj shumë shokët e mirë.
Kam mësuar se jeni besimtar…
Njeriu pa fe, si peshku pa ujë. Është shumë mirë të besosh diku, të kesh besimin tënd.