Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) Filip Riker në takimin me kryetarin e Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK) ka dërguar mesazh të fuqishëm se nga rrjedha e zgjedhjeve të parakohshme varet edhe ardhmëria euroatlantike e Maqedonisë.
“Ambasadori Reeker ka siguruar kryetarin e RDK-së, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vëzhgojnë fuqishëm këto zgjedhje dhe nga ky vëzhgim do të varet raporti që do t’ia dërgojnë Uashingtonit zyrtar për përgatitjen ose mos përgatitjen e Maqedonisë për t’u futur në klubin e vendeve anëtare të NATO-s dhe BE-së”, thuhet në kumtesën e lëshuar pas takimit nga partia e Rufi Osmanit.
Takimi është realizuar në vazhdën në rezidencën e ambasadorit amerikan në Shkup. Në kumtesën e lëshuar nga RDK, thuhet se në këtë takim shumë përmbajtjesor u diskutua rreth zgjedhjeve të parakohshme të 5 qershorit në funksion të arritjes së standardeve demokratike dhe eliminimit te parregullsive eventuale që kanë qenë karakteristikë dalluese e historikut të zgjedhjeve politike në Maqedoni.
“Ambasadori Reeker manifestoi qartë se këto zgjedhje janë vendimtare për ardhmërinë e procesit të integrimit dhe prosperitetin e vendit dhe se qeveria dhe opozita duhet të garantojnë jo vetëm verbalisht por institucionalisht mbarëvajtjen e zgjedhjeve fer dhe korrekte”, thkesohet në kumtesë..
Kryetari i RDK-së, Rufi Osmani nga ana e tij ka shprehur konsideratën e lartë për rolin avangardë që ambasadori Reeker ka manifestuar në funksion të ruajtjes së stabilitetit dhe prosperitetit të vendit dhe kthjellimit të politikanëve të vendit në vendimmarrjen me rëndësi strategjike për perspektivën e qytetarëve të Maqedonisë. Osmani i garantoi ambasadorit Reeker se RDK-ja është parti e cila do të jetë pjesë e zgjidhjes së problemeve të vendit në mënyre demokratike dhe se realizimi i zgjedhjeve të lira dhe të pranueshme për të gjithë, është standard dhe vlerë demokratike e padiskutueshme.
Kryetari i RDK-së përsëriti qëndrimin e tij që pas zgjedhjeve, partitë politike shqiptare të unifikohen si një bllok unik politik në funksion të faktorizimit politik të shqiptareve dhe dhënies së kontributit shtesë në përshpejtimin e procesit të integrimit të vendit dhe hapjes së perspektivave të reja për të gjithë qytetarët e vendit.