www.Zemra.Org

Ngritja e çmimeve, alarmuese

Të dhënat e Bankës Botërore për shtrenjtim të produkteve ushqimore për 10 për qind në shumë vende të botës, ka alarmuar edhe Kosovën.

Përfaqësues të organizatave ekonomike në Kosovë dhe ekspertë të çështjeve ekonomike, thonë se derisa Kosova importon shumicën e produkteve ushqimore nga vendet e ndryshme të botës, kjo ngritje e çmimeve ka prekur edhe Kosovën.

Sipas raportit të Bankës Botërore, ngritja e çmimeve në 10 për qind ka ardhur si pasojë e thatësisë në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropën Lindore. Banka Botërore, në raportin e saj të publikuar të enjten, ka theksuar se dëmtimet dhe humbjet e kulturave të misrit dhe sojës, janë arsye të rritjes së çmimeve të shumë ushqimeve.

Profesori i ekonomisë, Mejdi Bektashi, thotë se kjo ngritje e çmimeve të produkteve esenciale bujqësore për shkak te rendimenteve të ulëta në shumë shtete të botës, po e godet edhe Kosovën. “Nënkuptohet se për shkak të nivelit të ulët të standardit jetësor dhe pagave të ulëta krahasuar me vendet tjera, do të goditen shtresat e varfra të popullsisë dhe do të ndikojë në thellimin e varfërisë apo uljen e standardit jetësor për një pjesë shumë të madhe të popullsisë së Kosovës”, thekson Bekatshi.

Ditë më parë edhe Oda Ekonomike e Kosovës ka publikuar një hulumtim në të cilin thuhet se që nga tetori, Kosova pritet të përballet me valën e ngritjes së çmimeve në produktet elementare për jetesë.

Kryetari OEK-ut, Safet Gërxhaliu, thotë se ne nivel rajonal në rendimentet e drithërave kanë ulje të parashikimeve fillestare në masën 20 për qind. “Nëse nuk ndryshon diçka që do të ndikon në rritjen e rezervave në nivel botëror, në tetor të vitit 2012 parashihet që çmimet e produkteve bazike të rriten në 10 për qind dhe në këtë drejtim nuk kemi kohë për të humbur, por duhet të gjenden modalitete si të minimizohen pasojat e kësaj krize edhe në tregun kosovar”, thekson Gërxhaliu.

Prodhimi vendor është i ulët, dhe Kosova vazhdon të importojë një pjesë shumë të madhe të produkteve ushqimore.

Exit mobile version