Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rreth orës 12:30 në Rajonin e Pejës, saktësisht në fshatin Dobrush të Komunës së Istogut ka ndodhur një rast gjuajte me armë zjarri.
“Me të pranuar informacionin Policia ka reaguar menjëherë duke iu përgjigjur vendit të ngjarjes me të gjitha njësitet e nevojshme policore, ku me të arritur në vend ngjarje ka kuptuar se si pasoje e gjuajtjeve me armë zjarri, një person është vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur të komunitetit serb. Si rezultat i reagimit të shpejt të Policisë është arritur që të konfiskohet një veturë dhe një armë AK-47, e cila dyshohet se është përdorur në rast, ndërsa i dyshuari ka arrit që të largohet nga vendi i ngjarjes”, njofton Policia.
Personi i cili dyshohet se ka kryer këtë vepër penale të vrasjes është identifikuar dhe është në ndjekje të Policisë.
Në bazë të hetimeve fillestare dyshohet se rasti ka te bëjë me mosmarrëveshje të shit-blerjeve të pronave.
Ndërkaq, Qeveria e Republikës së Kosovës dënon incidentin që ndodhi në fshatin Dobrushë, të Burimit (Istogut) me ç’rast humbi jetën një qytetar i komunitetit serb, dhe dy të tjerë u plagosën.
Me këtë rast Qeveria e Republikës së Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit. Pavarësisht rrethanave se si ka ndodhur ky akt, aktet e tilla janë të papranueshme dhe të dënueshme nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Qeveria rithekson se Republika e Kosovës është shtet demokratik, që përbëhet nga komunitete të ndryshme etnike, një shtet ku toleranca dhe bashkëpunimi mes komuniteteve, është ndër vlerat më kulmore të shtetit tonë të ri.
“Në këtë kuadër, çdo akt që dëmton klimën e mirë të tolerancës dhe të bashkëpunimit mes komuniteteve, është i dënueshëm dhe i patolerueshëm nga institucionet e Republikës së Kosovës. Qeveria fton organet përgjegjëse që të ndërmarrin të gjithë hapat e duhur që kryesit e këtij akti të rëndë të nxirren para organeve të drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kosovës.