Njërin djalë ia vranë në shkollë, tjetrin është duke “e vrarë” shteti, më saktë institucionet. Bëhet fjalë për familjen e Xhevahir Jasharit nga fshati Kondovë i Shkupit. Djalin 18- vjeçar, Muhamedaliun, pak para se të bëhej maturant dhe të mbaronte shkollën e mesme, ia kthyen në shtëpi të vdekur. Me një pllakë betoni e goditi për vdekje një 16-vjeçar i përkatësisë etnike maqedonase, gjatë një incidenti në të cilin Muhamedaliu ishte përfshirë për ta qetësuar situatën. Rreth nëntë muaj më vonë, në shtëpinë e Xhevahirit vazhdon të ndihet mungesa e Muhamedaliut, ndërsa fotografitë e tij rrinë të varura nëpër muret e shtëpisë, për ta plotësuar mungesën e tij fizike. Dhimbja e familjes Jashari është e njëjtë si në ditën e kobshme të prillit, kur Muhamedaliun e kthyen në shtëpi të vdekur.
I “dënuar” të qëndrojë në karrocë invalidi
Historia e familjes Jashari nga fshati Kondovë e Shkupit bëhet akoma më e rëndë kur do të merret parasysh fati i djalit të madh të kësaj familje, 26-vjeçarit Nexhat Jashari. I lindur në vitin 1985, Nexhati të gjithë jetën e tij e ka kaluar në karrocë për persona me nevoja të veçanta, pas lëvizur asnjëherë me këmbët e tij. Ai vuan nga një paralizë e rëndë, e cila e ka mbyllur atë në shtëpinë e vjetër në fshatin Kondovë. Gjendja e Nexhatit ka nevojë për trajtim dhe kujdes të posaçëm shëndetësor. Pikë së pari, ai ka nevojë për një njëri që duhet t’i qëndrojë gjithmonë pranë tij, sepse të vetmen gjë që mund ta bëjë për vetveten, është të mbajë në duar një gotë me ujë. Nexhati, gjithashtu ka nevojë edhe për kurim, ndërsa në çdo dy-tri vjet, atij i duhet ndërruar karroca me të cilën lëviz. Djali i gjatë, i qeshur dhe me këmbët e mbërthyera në karrocë, megjithatë thotë se ndihet mirë. Atij i pëlqen që ditën ta nis me një kafe. Po ashtu, një filxhan kafe do të pijë edhe para se të shkoj në gjumë. Me një gjysmë të folur, thotë se ndihet mirë, sepse familja kujdeset sa mundet për të. Invaliditeti e bën atë që çdo shkëmbim fjalësh ta shoqërojë me një të qeshur. Gjithashtu, me humor pozitiv përpiqet të mbetet edhe i ati, megjithatë gjendja e Nexhatit, vdekja e Muhemadaliut dhe papunësia, e kanë bërë të veten. Xhevahiri ndërton dhe rregullon mure fasade, megjithatë të ardhurat nuk i arrijnë për t’u kujdesur për Nexhatin dhe për t’i rritur dhe shkolluar Afërditën dhe Selamin, dy fëmijët tjerë që ndjekin klasën e pestë dhe të gjashtë. Ndërkaq, edhe e shoqja mundohet ta ndihmë për financat duke punuar si rrobaqepëse. Gjendjen e familjes Jashari e rëndon akoma më shumë neglizhenca e institucioneve vendase. Janë shërbimet kompetente të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ato të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, të cilat nuk ia mundësojnë Nexhatit dhe familjes së tij të drejtat që i gëzojnë individët që vuajnë nga e njëjta sëmundje.
Shteti i ndërpret edhe ndihmën sociale
Të parët e kanë privuar Nexhatin nga mundësia për t’u bërë shtetas i këtij vendi, ndërsa të dytat kohë më parë, ia kanë ndërprerë ndihmën prej katër mijë denarë që e merrte familja. “Deri sa e mbushi moshën 26 vjeçare, merrnim 4.200 denarë, një lloj ndihme për Nexhatin, por na e ndërprenë edhe atë ndihmë. Jemi të vetëdijshëm se për rastet e ngjashme me Nexhatin, shteti paguan nga një individë që kujdesen për personat me nevoja të veçanta, megjithatë ne jemi të privuar nga kjo mundësi, sepse Nexhati është pa shtetësi”, thotë Xhevahir Jashari, i cili e ka të vështirë të dalë në fund me harxhimet e familjes pesëanëtarëshe, sidomos në këtë dimër të ftoftë. Pjesa më e madhe e problemeve të familjes Jashari vijnë nga pamundësia që Nexhati të pajiset me shtetësinë maqedonase. I lindur në Kondovë, nga baba dhe nënë me shtetësi maqedonase, Nexhat Jashari është apatrid. I ati i tij shumë herë ka bërë përpjekje dhe ka parashtruar kërkesa për ta pajisur të birin me shtetësinë maqedonase, megjithatë të gjitha përpjekjet kanë dështuar. Ai, gjithashtu ka angazhuar edhe dy avokatë, por epilogu i fundit ka qenë i njëjtë – Nexhati mbetet apatrid. “Unë, shoqja, Muhamedaliu, vajza dhe djali i vogël kemi shtetësi maqedonase. Nexhati, megjithëse është djali im i lindur, është anëtari i vetëm i familjes që nuk ka shtetësi. Ai ka nevojë të madhe të fitojë shtetësinë, sepse ajo do t’i mundësojë lehtësime gjatë mjekimit, ndërsa ne do të mund të kërkojmë ndihmë financiare nga ana e shtetit, njësoj siç marrin familjet e tjera që kanë raste të ngjashme me Nexhatin”, thotë i ati Xhevahiri, duke e treguar vërtetimin e tij shtetësisë, që do të thotë se baza ligjore për pajisjen e të birit me invaliditet me shtetësinë e Maqedonisë ekziston. Sipas Xhevahirit, arsyetimi që jepet nga ana e shërbimeve përkatëse të Ministrisë së Brendshme është se nuk dihet vendndodhja e së ëmës së Nexhatit, gruas së parë të Xhevahirit. Ajo ka braktisur Nexhatin që në fëmijëri, ndërsa institucionet, sipas shpjegim të Xhevahirit, kërkojë që ai të niset në kërkim të ish të shoqes për t’i marrë deklaratë se Nexhati është djali i saj, që në fakt është mision i pamundur, sepse askush nuk ka informata për vendndodhjen e saj. Në mungesë të shtetësisë maqedonase, Nexhati nuk mund të fitojë librezë shëndetësore. Për shkak të invaliditetit, atij i janë bërë gjashtë operacione, por të gjitha i ka paguar i ati. Ndërkaq, personat si Nexhati në çdo tre-katër vjet fitojnë karroca nga ana e shërbimeve sociale, megjithatë i ati i Nexhatit 13 vjet me radhë e blen vet karrocën me të cilën lëviz i biri.`
Aktvendimi që shqetëson familjen Jashari
Plagët e familjes Jashari nga Kondova ditëve të fundit i trazoi Prokuroria Publike, e cila 16-vjeçarin që e goditi për vdekje Muhamedaliu, maturantin e shkollës së ndërtimtarisë “Zdravko Cvetkovski, e paditi për “lëndime të rënda trupore” dhe jo për “vrasje”. Në rrethana të tilla, kryefamiljarit nuk i mbetet diçka tjetër përveçse të presë epilogun gjyqësor. Megjithatë, që tani paralajmëron se drejtësia për vrasjen e të birit do të kërkohet në gjykatat ndërkombëtare, sepse vet padia e ngritur nga ana e Prokurorisë dhe lirimi i 16-vjeçarit Dorian T. nga paraburgimit, nuk jep shpresa se drejtësia do të shkojë në vendin e duhur.
Memeti shprehet i gatshëm për ndihmë
I gatshëm për të ndihmuar në zgjidhjen e problemit me shtetësinë e Nexhatit është shprehur Avokati i Popullit, Ixhet Memeti. Në një prononcim për gazetën KOHA, Memeti ka thënë se rreth 90 për qind e rasteve që kanë kërkuar ndihmë tek Avokati i Popullit, dhe ku është vlerësuar se i plotësojnë kushtet e parapara me ligj, janë pajisur me shtetësi maqedonase. “Të gjithë ato që kanë probleme gjatë marrjes së shtetësisë maqedonase, mund të drejtohen tek ne. Gjithashtu, i bëj apel familjes Jashari të paraqitet në zyrën tonë, ndërsa ne do ta trajtojmë rastin me seriozitetin më të madh. Besoj se në fund, djali i tyre do ta fitoj shtetësinë maqedonase”, tha Memeti.