Si mysafir në Zona B, të Klan Kosova, ai për herë të parë publikisht rrëfeu të dhënat e Rezilit të tij, të cilit thotë se ia vuri këtë nofkë atentatorit të 17 janarit të vitit 1982. “E njoh me emër dhe mbiemër, e ka emrin Riza Saliu. Këtë e kam thënë në gjykatë…”.
Kelmendi thotë se këtë dëshmi e ka dhënë edhe në prokurorinë gjermane. Madje sipas tij bashkë me Saliun ka qenë edhe një shqiptar tjetër, emrin e të cilit e ka deponuar në hetuesinë e shtetit në fjalë, por që nuk e thotë publikisht.
Në librin “Lindja e përgjakur”, bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin, të autorit Bedri Islami, Kelmendi thotë: “Ndoshta është vendi të informoj se hetimet kundër Rizës gjermanët i riaktivizuan në vitin 1992, pasi shteti gjerman nuk kishte më interesa për të përkrahur Jugosllavinë, e cila kishte filluar të shpërbëhej. Unë mora pjesë në atë proces gjyqësor si dëshmitar kundër Riza Salihut. Gjykata e liroi Rizën nga akuza për vrasje në mungesë të provave, pasi vuajti ndoshta një vit e gjysmë burg”.
“Kryehetuesi dhe unë biseduam se ai ishte njëri nga dorasët, por gjykata nuk kishte të drejtë t’i shfrytëzonte si dëshmitarë nipat e Riza Salihut, meqë kur ka ndodhur vrasja, ata ishin të mitur. Ata e kishin informuar kryehetuesin se në momentin që ishte bërë vrasja, Riza nuk kishte qenë të motra e tij, që ai po e përdorte si alibi”.
“Parë në aspektin e ngushtë, vetëm Riza Salihu duhet të ketë pasur arsyet e tij për t’u hakmarrë, sepse në vitin 1980 ia zbuluam dhe penguam urdhrin që kishte dhënë për të vrarë Jusufin. Më pas e zhbëmë ‘grupin komunist’ që kishte formuar dhe e komandonte. As këtë nuk e besoj, meqë unë kisha mjaftueshëm prova për të besuar se ai ishte vetëm një argat i UDB-së dhe nuk kishte kompetenca të merrte vendime e të bënte ekzekutime me kokën e vet. Gjithsesi, e kam akuzuar për ekzekutor, të komanduar nga UDB-ja dhe vazhdoj ta akuzoj, përderisa ai nuk e provon të kundërtën. Të paktën duke ofruar alibi të pakontestueshme”.