VIP

Nora Asani, bukuroshja e “Miss Earth 2011”

Vajza me fat Nora Asani, në dhjetor do të udhëtojë drejt Filipineve për të përfaqësuar vendin e saj në konkursin e madh të bukurisë. Ata që e zgjodhën vlerësuan bukurinë, qëndrimin në skenë dhe përshtatjen përballë aparatit fotografik.

Intervistoi: Dashnim Hebibi

Buzëqeshja të jep jetë, buzëqeshja ofron miq dhe të bën të ndjehesh mirë. E kemi dëgjuar këtë shprehje dhe e dëgjojmë shumë herë, e këto buzëqeshje gjithnjë i ka me vete edhe atë të dala nga zemra e shpirti, protagonistja e intervistës sonë, Nora Asani.

Nora Asani, ky engjëll i bukurisë, me sytë e saj të shkruar, rrezaton ëmbëlsisht në botën e modës. Edhe pse ka marrë disa herë kurorat e më të mirës në disa spektakle, që janë mbajtur në diasporë, por edhe më larg, Norës po i plotësohet dëshira e madhe, apo tash do ta ketë kulmin e karrierës, e cila do ta përfaqësoj Kosovën në Filipine, ku do të lobojë për bukuritë e mëdha natyrore që i ka Kosova.

Nora, para pak ditësh, keni marrë lajmin, se do ta përfaqësoni Kosovën në spektaklin e bukurisë në Filipine për kurorën e “Miss Earth 2011”. Në ato momente ishit në SHBA, a mund të na tregoni emocionet e tua me të marrë këtë lajm?
Në fakt, unë kam qenë e përgatitur, megjithatë kur e kam marrë lajmin, jam gëzuar pa masë dhe shfrytëzoj nga rasti, që ta përshëndes shumë menaxherin e spektaklit z. Shpëtim Zejneli dhe Hezer Bajraktari, përfaqësues të shoqatës së manekineve “Freedom” nga Prizreni.

E keni menduar, se një ditë, do ta përfaqësoni Kosovën, në një spektakël kaq të madh e domethënës?
Të jem e sinqertë, dëshirë kam pas shumë, por se do vijë kjo ditë sivjet, nuk e kam pritur

Ku shkon ambicia jote, ku kërkon të arrish në këtë konkurs bukurie?
Ambicia ime shkon deri atje sa të përmbush qëllimin tim. Unë kërkoj që të arrij diçka për të cilën të gjithë të ndjehen krenare për mua.

Është bukur apo e vështirë të jesh pjesëmarrëse në një konkurs bukurie?
Është shumë bukur dhe është një ndjesi me vete, sepse ke mbi shpatulla shtetin tënd.

Gara për “Miss Earth 2011”, do të mbahet në dhjetor dhe ju do të udhëtoni më 19.11.2011, pra po afrohet dita, sa jeni e përgatitur?
Mendoj se jam mirë e përgatitur dhe besoj se ditët në vijim do të kem suport të mirë edhe nga menaxherët e mi.

Prisni mbështetje nga institucionet e Kosovës, që të loboni për të ruajtur ambientin e Kosovës?
Po, pres dhe kam dëshirë që të ndihmohem në këtë drejtim, por jo vetëm nga institucionet por edhe nga diaspora edhe nga shoqëritë afariste dhe jo afariste nga e gjithë bota shqiptare.

Njiheni me “Miss Earth Shqipëria”?
Jo nuk e njoh, nuk kam pas rast ta takoj.

Nëse do të fitosh kurorën e më të mirës, ku për herë të parë do ta dërgosh, në Prishtinë, në Zvicër, apo në SHBA?
Sigurisht, në Prishtinë.

Ka vite që jeni duke jetuar në SHBA, po studioni atje, apo jeni duke u marrë me botën e modës?
Në SHBA jam duke e mësuar gjuhën angleze dhe merrem profesionalisht me botën e modës.

Kur keni filluar të merreni me botën e modelizmit?
Me modelizëm kam filluar të merrem që nga viti 2006. Kam marr pjesë në Zvicër, Kosovë, Austri dhe SHBA. Në disa nga këto gara kam zënë një nga vendet e para, kurse në SHBA para një muaji kam zënë një vend të parë.

A mendoni se jeni e përkryer në bukuri?
Unë ndjehem mirë me pamjen time dhe jam e lumtur me këtë bukuri që e kam. Fantazia ime shkon shumë larg, por për atë që nuk e kam.

Në SHBA, keni ndonjë ofertë për të vazhduar me modelim? Jeni takuar me Fadil Berishën?
Po, kam ofertë për disa kompani të kozmetikës dhe të veshjeve. Fadil Berishën e njoh që nga viti 2006, kur kam marrë pjesë në “Miss Kosova 2006”, si vajzë nga Diaspora…pastaj jam takuar edhe në një party në Neë York, ku njoha edhe Angela Martinin.

Keni ndonjë model të cilin ju pëlqen ta ndiqni në karrierën tuaj të mëvonshme? 
Ekzistojnë persona që do doja ta kisha karrieren e tyre, por nuk mendoj që nëse ndjek karrierën e tjetrit, ajo është rruga e duhur drejt suksesit. Besoj në projekte të reja, që janë të nevojshme për kohën dhe vendin ku vepron.

Je e lindur në Prishtinë, të parët tuaj janë nga Dobrosini, (Bujanoci), xhaxhai juaj ka qenë komandant i parë i UÇPMB-së, jetoni në Zvicër, e veproni në SHBA. Ku të pëlqen më së shumti të jetosh?
Në fshatin e te parëve të mijë në fshatin Dobrosin të Bujanocit kam pasur rastin të shkoj si fëmijë, por nuk më kujtohet gjë. Babai im është i lindur në Kumanovë, nënën e kam nga fshati Hogosht, unë jam lindur në Prishtinë, ku babai ka kryer studimet. Unë, ka 20 vite që jetoj në Zvicër, çfarë të them, e ndjej veten shqiptare me tipare nga të gjitha viset tona.. Por, që të jetoj, kam dëshirë në Prishtinë dhe ndjehem më shumë prishtinase.

Si e kaloni kohën e lirë?
Kohën e lirë e kaloj duke ushtruar në fitnes, e dua notin, udhëtoj në shtete të ndryshme të botës dhe lexoj romane.

Kjo intervistë është e para për mediet tona. Na thoni drejtë, lexoni apo i përcillni mediet shqiptare?
Lexoj herë pas here, por më shumë kyçem në internet.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button