Nora Istrefi: “Dashuria ime në ditët më të mira”
Ajo ka vite tashmë që është prezente në skenën e muzikës. Nora Istrefi, këngëtarja me zërin karakteristik dhe pamjen skenike, ka bërë për vete shumë fansa. Vjen nga Kosova, por klipet e saj janë popullarizuar gjerë edhe në Shqipëri. Karriera e saj ka filluar në moshën 18 vjeç. Kënga e parë që e bëri të famshme është “Shko tash” të cilat vijohen nga suksese të tjera si “Hey hey hey” në bashkëpunim me Tingullin 3nt, si dhe “Negativ”, “Taxi”, me të cilat është prezantuar në audicione të njohura muzikore e që është vlerësuar për muzikën dhe interpretimin.
Nora është një këngëtare e talentuar ku pasioni që ndjen për muzikën i ka dhënë asaj sukses të vazhdueshëm. Me muzikën ajo është rritur që e vogël teksa këndonte në festivale për fëmijë. Më vonë ajo paraqitet si soliste dhe sjell kryesisht këngë r&b, dhe pop te të cilat e ndjen veten më mirë. Nga ana tjetër, profesioni i saj lidhet me fashion dizajnin, dhe kjo është arsyeja që klipet e saj janë gjithmonë kaq profesionale, të kuruara me stil, shije dhe origjinalitet. Klipet e guximshme, ku Nora vjen tejet provokuese dhe seksi është ai me titullin “Sekret”. Ndërsa “Dy shokët” është një tjetër që i kushtohet një dashurie të çiltër që ekziston mes një djali dhe vajze të cilët kanë qenë shok, por që djali asnjëherë nuk e zbuloi të vërtetën, dashurinë që vajza ndjen për të. E së fundmi, këngëtarja provokuese, vjen në bashkëpunim me Linda Halimin në “Këngën magjike”, me një interpretim vërtet cilësor.
Përsa i përket dashurisë, Nora vazhdon lidhjen e saj me Robert Berishën, djalin simpatik që kompozon tinguj. Të dy janë rritur në mjedise ku mbretëron fryma muzikore. Por cilat janë planet e tyre dhe gjithçka në lidhje me këngëtaren seksi, Nora na i zbulon në këtë intervistë.
Intervista
Nora jeni pjesë e festivalit “Kënga magjike”, e kujt ishte ideja për këtë bashkëpunim?
Ideja ishte e Lindës, ajo e bëri tekstin e këngës dhe më ftoi në këtë bashkëpunim. Kënga më pëlqeu jashtëzakonisht shumë dhe vendosa që së bashku me Lindën dhe Big D të jemi pjesë e festivalit.
Ishit e kënaqur me paraqitjen, cilat janë komentet që keni marrë?
Mendoj se paraqitja jonë ka qenë shumë e mirë dhe nga fjalët që kam dëgjuar është pritur pozitivisht nga publiku.
I trembeni konkurrencës?
Jo aspak, secila këngë është e veçantë në stilin e vet edhe këngëtaret po ashtu. Besoj te puna që bëj, çdo element në muzikë ka rëndësi dhe unë jam munduar t’i përmbush të gjitha. Kështu që konkurrenca nuk më ka trembur, madje e kam parë si shtysë për të punuar më fort.
Ka pasur disa spekulime se jeni ndarë me Robertin, si qëndron e vërteta?
Jo ne nuk jemi ndarë e as që kemi qenë të ndarë ndonjëherë. Përkundrazi lidhja ime me Robertin po përjeton ditët më të mira.
Shumë çifte këngëtarësh e artistësh janë kurorëzuar këtë vit. Ju e keni menduar një gjë të tillë?
Një herë për një herë nuk kemi plane për martesë. Po e shijojmë fejesën, por gjithsesi kjo fejesa jonë do të kurorëzohet në të ardhmen.
Kur je e dashuruar me një koleg, është më mirë apo më keq?
Mendoj se fakti që merremi të dy me muzikë na ka ndihmuar dhe favorizuar në lidhjen tonë, se kështu ia dimë problemet dhe ritmin punës, ndaj tolerojmë dhe mirëkuptojmë njëri-tjetrin.
Si u njohët ju të dy?
Ne punojmë në të njëjtin ambient. Ka qëlluar që jemi takuar në koncerte, në pabe etj. Kështu lindi një miqësi dhe për disa kohë dolëm si miq. Pastaj u pëlqyem dhe kështu filluam të shiheshim me tepër sesa si miq.
Çfarë vlerëson më tepër te Roberti? Çfarë ju bëri të binit në dashuri me të?
Robertin e njoh prej shumë kohësh dhe është njeri i mrekullueshëm. Kur nuk e njihja mirë nuk mund të them se e mendoja këte, por me kalimin e kohës e kuptova cili është në të vërtetë.
Të bën dhurata?
Po, po. Sa herë kthehet nga diku, gjithmonë me ble diçka.
Nora ka kohë që disa foto të publikuara në një grup në facebook dhe në gazeta e revista të ndryshme ju akuzojnë për kopje të imazhit të disa këngëtareve me famë botërore, cili është komenti juaj?
Po e kam parë grupin, por në qoftë se ngjyrat kanë qëlluar të jenë të njëjta unë nuk do ta quaja kopje, sepse nuk mund të dalim jashtë atyre ngjyrave që pëlqehen më tepër. Unë sigurisht që nuk mund të shpik diçka të re, kurse sa i përket modeleve po t’i shikoni me kujdes kuptohet që nuk kanë ngjashmëri me njëra tjetrën.
Ju jeni inspiruar nga veshjet e tyre, apo thjesht është një koincidencë?
Të them të drejtën asnjëra nga këto. Unë veshjet e mia ose i kam të dizenjuara nga kreatore me emra në fushën e modës ose të blera, dhe nuk do ta quaja koincidencë përderisa nuk kam veshur të njëjtat rroba me ato.
Ku i blini veshjet zakonisht?
Profesioni im si këngëtare më mundëson edhe të udhëtoj shpesh për në Europë. Dhe sigurisht që e shfrytëzoj rastin për blerje. Në Kosovë nuk ka shumë mundësi zgjedhjeje në veshje, kurse unë jam një tip që i kushtoj një kujdes jashtëzakonisht të madh veshjes dhe paraqitjeve të mia skenike prandaj synoj të dukem e veçantë në paraqitjet e mia.
A mendoni se kjo propagandë e dëmton imazhin tuaj, dhe a e dini kush qëndron pas saj?
Absolutisht jo. Ato nuk e dinë që vetëm i kontribuojnë ngritjes së imazhit tim kështu që le të vazhdojnë… Mendoj se këtë gjë e ka bërë dikush që ka xhelozi ndaj meje dhe ka shumë kohë të merret me mua. Sigurisht që gjërat e tilla nuk më mërzisin, por ka njerëz të tillë që tentojnë të prishin imazhin e dikujt..inati dhe xhelozia në profesionin tim janë të pashmangshëm.
Ju jeni diplomuar për stiliste, keni menduar t’i përkushtoheni profesionit?
Të them të drejten po, por angazhimet rreth muzikës nuk më lënë kohë të mjaftueshme për t’u marrë me të, por patjetër që në një të ardhme të afërt do t’i stiloj vetë veshjet e mia.
Nora si e kaloni kohën e lirë?
Në kohën e lirë dal me shoqërinë ose qëndroj në shtëpi duke parë ndonjë film ose duke dëgjuar muzikë.
Planet tuaja për sa i përket muzikës?
Kam në plan të realizoj një këngë së bashku me videoklip e cila shpresoj të jetë gati për rreth një muaj.
Një koment drejtuar fansave tuaj.
I përshëndes shumë dhe i falënderoj për mbështetjen e vazhdueshme që e gëzoj prej tyre…padyshim që suksesi im i dedikohet fansave të mi.