LajmeMaqedoniaPolitika

Amnistia, gjuha dhe flamuri po tronditin VMRO-në

VMRO-DPMNE-së i kanosen tronditje brendapartiake për shkak të qëndrimeve të ndryshme në radhët e kësaj partie ndaj çështjeve që kanë të bëjnë me shqiptarët. Bazë për zhvillim të tillë të ngjarjeve në partinë e Gruevskit, analistët shohin në faktin se figura kyçe të kësaj partie si Vllatko Gjorçev dhe Antonio Milloshsoski nuk kanë votuar ligjin për interpretim autentik të amnistisë.
“Kuptohet se mund të ndodhin përçarje në VMRO-DPMNE për shkak të ndryshimeve të ligjeve që në këtë parti vlerësohen si lëshim ndaj shqiptarëve. Fundja edhe vetë kryeministri Nikolla Gruevski u distancua nga interpretimi autentik i ligjit për amnisti të cilin e ka nënshkruar zëvendëskryeministri Vasko Naumovski. Ai nuk e nënshkroi as vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës, të cilin e nënshkruajti zëvendëskryeministri i atëhershëm Ivica Bocevski. Ky është stil konstant i sjelljes së Gruevskit ndaj çështjeve që kanë të bëjnë me shqiptarët. Ai pranon të zgjidhë këto çështje vetëm kur është nën presion dhe nuk ka rrugëdalje tjetër, por edhe atëherë gjen forma për t’u distancuar”, thotë analisti maqedonas, Sasho Ordanovski.
Megjithatë ai nuk mendon se ky disponim negativ brenda VMRO-DPMNE-së ndaj avancimit të statusit të shqiptarëve, do të reflektohet negativisht në raportet brenda koalicionit VMRO-DPMNE-BDI.
“BDI arriti qëllimin e vet, kurse Gruevski do të pastrojë kuadrot të cilët në katër vitet e ardhshme mund të rrezikojnë pushtetin e tij absolut brenda partisë. Dihet se koalicioni VMRO-BDI është koalicion zori, e jo koalicion që preferojnë këto parti”, sqaron Ordanovski.
Për dallim prej Ordanovskit, analisi Naser Zyberi nuk pret ndonjë lëvizje më të madhe në radhët e partisë së kryeministrit Gruevski.
“Nuk mendoj se ka tronditje serioze në VMRO pasi që Nikolla Gruevski mban nën kontroll situatën në parti. Pas përfundimit të zgjedhjeve Gruevski ka bërë analiza dhe ka bërë freskime kadrovike të cilat mund të shkaktojnë përçarje në parti, por sipas mendimit tim ato nuk do të jenë serioze. Shumica e përkrahin Gruevskin për të mbajtur ndonjë post të rëndësishëm në parti dhe në qeveri dhe për këtë arsye ata nuk kanë guxim ta kundërshtojnë për ndonjë gjë”, vlerëson Zyberi.
Pesë vite pasi është kthyer në pushtet nën drejtimin e Nikola Gruevskit, VMRO-DPMNE nuk ka përjetuar ndonjë përçarje më të madhe brenda radhëve të veta. paralajmërimet për përçarje të mundshme u paraqitën pas tërheqjes së Antonio Milloshoskit nga posti ministër i punëve të jashtme, tërheqjes së Martin Protugjerit nga posti i sekretarit të përgjithshëm partiak dhe zgjedhjes së përbërjes së re të Komitetit Ekzekutiv, jashtë të cilit mbeti  deputeti Vllatko Gjorçev. Në partinë e Gruevskit i kanë demantuar të gjitha informatat e paraqitura se brenda VMRO-DPMNE-së ekzistojnë përçarje.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button