Presidenti Barak Obama tha se nuk do të lejojë publikimin e fotografive të Osama bin Ladenin të vrarë, të marra pas operacionit, që rezultoi në vrasjen e tij në orët e para të mëngjesit të së hënës, sipas orës së Pakistanit, nga komandot amerikane.
Presidenti i ka bërë këto komente për rrjetin televiziv amerikan CBS, gjatë një interviste, që do të transmetohet sonte.
Ndërkohë, Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Erik Holder tha se vrasja e Bin Ladenit ishte e ligjshme dhe një akt i vetmbrojtjes kombëtare.
Zoti Holder tha sot se Shtetet e Bashkuara përfundimisht do të jenë më të sigurta mbas vdekjes së Bin Ladenit. Gjithsesi, ai paralajmëroi për sulme të mundshme hakmarrëse dhe tha se nuk është e afërt dita e përfundimit të luftës ndaj kërcënimit terrorist.
Zoti Holder tha se ai ka urdhëruar agjencitë e zbatimit të ligjit që të jenë në gjendje gadishmërie, dhe tha se ka ende shqetësime serioze për të cilat Shtete e Bashkuara duhet t’i zgjidhin.
Në dëshminë e tij përpara Komisionit Juridik të Senatit, zoti Holder tha se vdekja e bin Ladenit është “ hap i madh përpara” në vendosjen e drejtësisë për mijëra të vrarët në 11 shtator të vitit 2001, nga sulmet e Al Kaidës kundër Shteteve të Bashkuara.
Ai i bëri thirrje Kongresit që të “riautorizojë për një periudhë kohe të konsiderueshme” dispozitat e Aktit Patriotik, i cili skadon në fund të këtij muaji. Prokurori i Përgjithshëm Holder tha se dispozitat e Aktit Patriotik janë tani më të nevojshme se asnjëherë më parë.