Pacolli ishte për ngushëllime në familjen Musliu në Uglar të Gjilanit
Gjatë vizitës në familjen e babait të Leutrimit, Rrahim Musliu, Presidenti Pacolli kërkoi që organet e drejtësisë ta zbardhin sa më parë këtë rast. “Ne ju shprehim ngushëllime. Jemi këtu që ta ndajmë së bashku me ju këtë dhimbje dhe ne kërkojmë nga organet përkatëse që sa më shpejt dorasi të kapet dhe të dalë para organeve të gjyqësisë”, tha Presidenti Behgjet Pacolli.
“Këtë rast ta zbardhin sa më parë dhe fajtorin ta sjellin para drejtësisë. Unë besoj se këtë do ta bëjnë organet tona. Është një dhimbje e madhe që ne e ndajmë bashkë me familjen, është një humbje dhe një rast i cili është dashtë t’i takojë të kaluarës, jo kësaj kohe. Në këtë kohë kur Kosova ballafaqohet edhe me probleme të tjera të ndjeshme, unë besoj se këtë rast në mënyrë korrekte, në mënyrë të drejtë do ta zgjedhin organet e drejtësisë”, tha Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli.
Duke folur në emër të familjes, kryeimami i fshatit Burhan Zejnullahu falënderoi Presidentin Pacolli për vizitën dhe që në këto momente dhembjeje u gjen pranë familjes Musliu.
“Në emër të familjes, ju falënderojmë në mënyrën më të sinqertë që keni gjetur kohë dhe keni ardhur ta ndani me neve këtë dhimbje, këtë humbje të një djali shqiptar”, tha ai.
Pas vizitës në Uglar, Presidenti Pacolli vizitoi komunën e Parteshit, ku u prit nga kryetari i kësaj komune, z.Nenad Cvetkoviq, me të cilin zhvilloi një bisedë të gjatë lidhur me gjendjen e përgjithshme në këtë komunë.