Zëvendës kryeministri për njohje në Qeverinë e Kosovës Behgjet Pacolli vikendin e kaluar ka qëndruar në Tetovë ku ka realizuar takime të veçanta me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti dhe kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) Menduh Thaçi.
Burime partiake kanë njoftuar për “Lajm” se qëllimi i vizitës së Pacollit ka qenë afrimi i pozicioneve të dy partive më të mëdha shqiptare dhe në prag të formimit të koalicionit të ri qeveritar në Maqedoni dhe koordinim mes tyre për çështje të rëndësishme që tangojnë shqiptarët.
Pacolli në këto takime ka theksuar interesin e shtetit kosovar që gjatë formimit të qeverisë së re shqiptarët të ndikojnë për përshpejtim të procesit të integrimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian, si proces i cili është në favor të gjithë shqiptarëve të rajonit. Ai ka uruar liderët e partive shqiptare për fushatën e qetë dhe demokratike parazgjedhore, që ka ndikuar shumë në përmirësimin e imazhit para faktorit ndërkombëtarë.
Jozyrtarisht zëvendëskryeministri kosovar është interesuar edhe për mundësinë që BDI dhe PDSH bashkë të jenë pjesë e Qeverisë së ardhshme, mirëpo ky informacione nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Pacolli në Tetovë është shoqëruar edhe nga ministrja e tregtisë dhe industrisë, Mioza Kusari Lila, andaj supozohet se është biseduar edhe për avancim të raporteve ekonomike mes Maqedonisë dhe Kosovës.
Ambasadori kosovar në Shkup Skënder Durmishi, konfirmoi qëndrimin e Behgjet Pacollit në Shkup.
“Qëndrimi i zotit Pacolli në Maqedoni ka qenë privat. Ne si ambasadë i kemi njoftuar organet kompetente në Maqedoni për këtë vizitë, mirëpo meqë ajo ka qenë private nuk i kam shoqëruar”, deklaroi Durmishi për “Lajm”
Pacolli është një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit kosovar Hashim Thaçi, mirëpo nuk dihet nëse në emër të tij ka sjellë edhe mesazhe tjera për Ali Ahmetin dhe Menduh Thaçin.
Qëndrimi i tij është dëshmi se Tirana dhe Prishtina me vëmendje po i përcjellin zhvillimet paszgjedhore në Maqedoni. Në opinion kanë qarkulluar informata të shumta edhe për gjoja vizita që Ahmeti dhe Thaçi kanë realizuar në Tiranë pas 5 qershorit, mirëpo këto informata nuk janë konfirmuar nga taborret partiake.
Tirana dhe Prishtina gjatë kohë tentojnë të ulin tensionet mes BDI-së dhe PDSH-së. Kjo u arrit në fillim të fushatës parazgjedhore, kur me iniciativë të ambasadorit shqiptar Arben Çejku, Ahmeti dhe Thaçi nënshkruan një marrëveshje për fushatë fer dhe demokratike, e cila u respektua në përpikmëri nga të dy partitë.