KosovaLajmePolitika

Pacolli president, Thaçi kryeministër

PDK-ja ka marrë vendim që AKR-ja të marrë postin e presidentit, ndërsa PDK-ja të mbajë atë të kryeministrit dhe të kryetarit të Kuvendit.

Vendimi u mor në mbledhjen e Këshillit Drejtues, pas tri orë debatesh. PDK fton edhe Listën Ibrahim Rugova dhe minoritetet në koalicionin qeverisës.

Pas një mbledhjeje tri orëshe, Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës ka vendosur që të hyjë në koalicion me Aleancën për Kosovë të Re, duke i lënë kësaj partie, postin e presidentit, për të cilin i nominuar nga partia është Behxhet Pacolli.

PDK-ja ka lëshuar pe ndaj këmbëngulësisë së AKR-së, e cila kushtëzoi hyrjen në koalicion me postin e presidentit, edhe pse brenda PDK-së, kërkohej që presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi, ta mbante këtë post.

Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, ka thënë se vendimi është marrë me konsensus, edhe pse, sipas, tij, ka pasur debat dhe mendime të ndryshme.

“Është vendim i Këshillit Drejtues të PDK-së, që të hyhet në koalicion me AKR-në, me Listën Ibrahim Rugova dhe me partitë tjera të komuniteteve. Ky vendim tani mbetet që të implementohet nga Kryesia e PDK-së. Ka pasur biseda dhe mendime, por PDK-ja është pajtuar me konsensus për qëndrimin që e thashë unë”, ka deklaruar nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi.

Kuçi ka thënë se ende nuk është vendosur për ndarjen e ministrive, ndërkohë që postin e kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit do ta mbajë partia fituese e zgjedhjeve, PDK-ja.

“Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur që të hyjë në koalicion me AKR-në. Ka vendosur që pozitat kryesore të ndahen, natyrisht edhe pozita e presidentit t’i takojë AKR-së, ndërsa për vendime tjera, për ministri do të negociohen në mes të Kryesisë së PDK-së, apo grupit që e kemi pasur, dhe Kryesisë së AKR-së. Është vendim i Këshillit Drejtues të PDK-së, që të ndërtohen institucionet e Republikës së Kosovës, sa më shpejt që është e mundur”, ka theksuar Kuçi.

Nënkryetari Kuçi ka arsyetuar vendimin e PDK-së, që ta pranojë Pacollin si president:

“Ka mendime individuale, por PDK-ja merr vendime në të mirë të institucioneve, në të mirë të vendit dhe nuk hyjmë në vlerësime të personaliteteve. Natyrisht, kemi mendime individuale për secilin individ në Kosovë, por në fund të fundit, partia sillet si parti me përgjegjësi”.

Megjithatë, ai nuk ka pranuar që Pacolli të krahasohet me Jakup Krasniqin, për të cilin kishte zëra që të zgjidhej president me mandat të plotë.

“Unë mendoj se Krasniqin, nuk e ka kërkuar një grup, por e ka kërkuar tërë PDK-ja. Nuk ka dilemë në këtë drejtim dhe nuk është mirë ta vëni në baraspeshë personalitetin e zotit Krasniqi me asnjë personalitet tjetër në Kosovë. Në anën tjetër, kjo është pjesë e negociatave. Negociatat nuk janë të lehta. Ne kemi negociuar disa herë me AKR-në. Ne kemi takuar disa herë Kryesinë e partisë, Grupin Parlamentar, Këshillin Drejtues dhe kemi ardhur në këtë vendim”, është shprehur Kuçi.

Pas pozicionimit të LDK-së, Vetëvendosjes dhe AAK-së për opozitë, PDK-së, si fituese e zgjedhjeve, e vetmja parti parlamentare shqiptare që i mbeti në dispozicion për bisedime rreth koalicionit qeverisës, ishte AKR-ja. Lista Ibrahim Rugova, për të cilën Kuçi ka thënë se do të ftohet në koalicion, ka vetëm një deputet të zgjedhur – Ukë Rugovën.

Ndërkohë, vendimi i PDK-së është mirëpritur në Aleancën Kosova e Re.

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka përfunduar mbledhjene vet në selinë e partisë dhe bashkë me anëtarët e Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike dhe me grupin e deputetëve të kësaj partie që kanë fituar në zgjedhjet e 12 dhjetorit janë nisur drejt hoteli “Victory” kur pritet të mbajnë takimin e tyre.

Pas takimit të Kryesisë së PDK-së nuk është lëshaur asnjë komunikatë për shtyp dhe as zëdhënësi i partisë apo ndonjë anëtar i Kryesisë nuk është prononcuar për media. Por duket se vendimi përfundimtar i kësaj mbledhje do të shqyrtohet edhe në mbledhjen e Këshillit drejtues e që më pas ky vendim do të jetë përfundimtar për “fatin” e koalicinit të ardhshëm në mes të PDK-së e AKR-së.

Edhe në fillim të kësaj jave po vazhdojnë konsultimet për arritje të koalicionit në mes të dy partive politike të Kosovës PDK-së dhe AKR-së. Sipas njoftimeve të deritashme asnjëra parti nuk ka lëvizur nga qëndrimet e tyre të mëparshme. Kështu përderisa PDK-ja po mundohet që të ruajë postin e presidentit, përkatësisht që t’ia vazhdojë “mandatin” pesëvjeçar u.d.presidentit Jakup Krasniqi, AKR-ja nuk po lëshon pe nga kërkesa që ky post t’i jepet liderit ë saj Behgjet Pacollit.

Por konsultimet brendapartiake do të vazhdojnë edhe sot gjithë ditën. Kështu Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë sot konsultimet brenda strukturave partiake. Kryesia e PDK-së do të mblidhet sot në orën 14.30 për të diskutuar rreth modaliteteve më të reja karshi koalicionit me AKR-në, ndërkaq do të dalë me propozime para Këshillit Drejtues të partisë, i cili do të mblidhet në orën 16.00 por që nuk dihet se kur do të përfundojë dhe se çfarë propozimi do të dalë nga Këshilli Drejtues i PDK-së.

Nga kjo që shihet del se deri në orët e pasdites nuk do të kemi ndonjë konfirmim zyrtar për arritje të koalicionit.

Në ndërkohë burime tona të sigurta bëjnë fjalë për takime jozyrtare në mes të një grupi të zyrtarëve të PDK-së e AAK-së për arritjen e një koalicioni të mundshëm në rast se dështon marrëveshja PDK-AKR.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button