LajmeMaqedoniaPolitika

Pakti Ahmeti – Thaçi vlen edhe për Sarajin

“Pakti elektoral” nënshkruar më 4 maj nga dy liderët e partive më të mëdha shqiptare, Ali Ahmeti i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe Menduh Thaçi i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) me ndërmjetësimin e Ambasadorit të Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku do të vlejë edhe për zgjedhjet që do të mbahen në Komunën e Sarajit. Partitë kërkojnë që Marrëveshja të mos shkelet, ndërsa negociatori beson se ajo marrëveshje do të respektohet dhe të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike. “Marrëveshja ishte akt simbolik për të treguar gadishmërinë tonë  për zgjedhje të lira dhe demokratike. Ne mbetemi në atë, se BDI do të zhvillojë zgjedhje të lira dhe demokratike. Këtë nuk e bëjmë për shkak të marrëveshjes, por sepse gjithnjë ne jemi dhe kemi qenë për zgjedhje të qeta, të lira dhe demokratike”, tha për “Lajm” zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani. PDSH, edhe premton se do ti përmbahet marrëveshjes, edhe pse nuk ka besim tek oponenti i saj, BDI, por beson se faktori ndërkombëtar do të kontribuojë që palët ti përmbahen marrëveshjes. “PDSH do të vazhdojë t’i përmbahet marrëveshjes së nënshkruar për zgjedhje fer dhe të lira që u nënshkrua në zgjedhjet parlamentare të vitit 2011. Besojmë që presioni nga faktori ndërkombëtar të kontribuojë në mbarëvajtje të procesit zgjedhor, përndryshe nuk jemi të sigurt se BDI vetvetiu do ta respektojë këtë”, tha zëdhënësi i PDSH-së, Agon Ferati. Duke iu referuar zgjedhjeve të fundit, ai thotë se BDI shkeli marrëveshjen që vetë e nënshkruan. “Ky konstatim nuk është vetëm i PDSH-së por edhe i institucionit ndërkombëtar për vëzhgim të zgjedhjeve. Në zgjedhjet e fundit parlamentare kishte keqpërdorim në forma të ndryshme të administratës shtetërore, kishte kërcënime, kushtëzime, blerje votash dhe përdorim të buxhetit të nivelit qendror e lokal në funksion të shfrytëzimit të gjendjes së rëndë ekonomike të shqiptarëve”, tha Ferati.
Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Arben Çejku, i cili ishte ndërmjetësuesi i marrëveshjes Thaçi – Ahmeti për zgjedhjet e 5 qershorit vlerëson se fryma e asaj marrëveshjeje do të vlejë edhe për këto zgjedhje të pjesshme. “Marrëveshja e atëhershme ishte për zgjedhjet e 5 qershorit dhe jo për këto zgjedhje të paparashikuara, por besoj se frymën e asaj marrëveshjeje palët do ta zbatojnë edhe tani. Ky është mendimi im si negociator i asaj marrëveshjeje”, tha Çejku.
“Pakti elektoral” për zgjedhje të lira dhe demokratike u nënshkrua në praninë e ambasadorit të SHBA-ve, Filip Riker, ambasadorit të BE-së, Peter Sorensen dhe atij të Shqipërisë, Arben Çejku.
Zgjedhjet për kryetar të Komunës së Sarajit do të mbahen më 18 dhjetor. Zgjedhjet në këtë komunë bëhen për arsye se ish kryetari I kësaj komune, Blerim Bexheti u emërua si Ministër i Drejtësisë.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button