www.Zemra.Org

Pangallos dhe Arifi do të bisedojnë shqip

Zëvendës kryeministrja e Maqedonisë për çështje evropiane, Teuta Arifi dhe zëvendës kryeministri grek Theodoros Pangalos gjatë takimit që do të kenë në dhjetor të këtij viti do të bisedojnë në gjuhën shqipe.

Burime diplomatike të “Lajm”-it pohojnë se dy zëvendëskryeministrat, do të komunikojnë në gjuhën shqipe, pasi shqipja është gjuha mëmë e të dy zëvendës kryeministrave. “Meqë, edhe Arifi ,edhe Pangalos si gjuhë mëmë kanë gjuhën shqipe, atëherë biseda mes tyre mund të realizohet në gjuhën e tyre mëmë, në shqip. Komunikimi n ë gjuhën mëmë është  komunikimi më i mirë dhe jep rezultate më të mira”, tha për “Lajm” i njëjti burim.

Nga kabineti i zëvendës kryeministres për çështje evropiane, Teuta Arifi, as nuk e pohojnë dhe as nuk e mohojnë se biseda mes Arifit dhe zëvendës kryeministrit grek, Pangalos do të jetë në gjuhën shqipe. “Ne do të bisedojmë në gjuhën e marrëveshjes, në gjuhën e vullnetit të mirë. Nëse ajo gjuhë është gjuha shqipe, atëherë le të jetë ajo”, thanë nga kabineti i Arifit.

Zëvendës kryeministri grek Theodoros Pangalos është me origjinë arvanitas dhe e flet shumë qartë gjuhën shqipe.

Vizita e Arifit në Athinë bëhet me ftesë të zëvendës kryeministri grek Theodoros Pangalos. Pak ditë më parë, zëvendës kryeministrja e Maqedonisë për çështje evropiane, Teuta Arifi i shkroi një letër qëllim mirë Pangalos, ku dhe kërkonte nga ai bashkëpunim në shenjë të marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore. Përgjigjja erdhi shumë shpejt, ku veç ftesës për një takim bilateral në dhjetor të këtij viti, Pangalos është treguar i gatshëm që ti jap Maqedonisë ndihmë teknike sa i përket anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Fjala është për fondet e përbashkëta, IPARD fondet.

Exit mobile version