www.Zemra.Org

Partia që fiton mandatin e shqiptarëve, hyn në Qeveri

Pjesëmarrja e pastrisë shqiptare që fiton në zgjedhje nuk është e rregulluar me Ligj, por nëpërmjet një parimi, të cilin partitë herë e respektojnë e herë nuk e respektojnë.

Parimin që partia shqiptare, e cila do të fitojë me shumë vende deputetësh të bëhet pjesë e Qeverisë së ardhshme do ta respektojnë partia Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) si dhe partia Demokracia e Re (DR). Ndërkaq, nuk dihet nëse Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) do ta respektojë kësaj radhe këtë parim, pasi deri më tani kjo parti e ka shkelur dy herë parimin, në vitin 1998 dhe 2006.

Deputeti i BDI-së, Rafiz Haliti thotë se partia ku ai bën pjesë gjithnjë ka qenë për respektimin e votës së popullit. “Qëndrimet tona janë të njohura, duhet të respektohet vota. Kështu që partia që do të ketë më shumë deputetë duhet të jetë pjesë e Qeverisë, pasi ajo parti përfaqëson shumicën e popullit shqiptar në Maqedoni”, thotë Haliti. Ai pret që të njëjtin parim ta respektojnë të gjitha partitë politike shqiptare. “Presim që së pari ne shqiptarët të respektojmë veten, të respektohemi mes vetes në këtë drejtim që të na respektojnë të tjerët. Në zgjedhjet e vitit 2008 u korrigjua edhe gabimi i bërë në vitin 2006, ku dhe u vendos një kod i ri”, thotë Haliti. Po ashtu edhe DR do ta respektojë vullnetin e qytetarëve. “Partia Demokracia e Re do të respektojë vullnetin e qytetarëve shqiptarë dhe parimin që bisedimet për të hyrë në koalicionin e ardhshëm t’i fillojë partia e cila do fitojë shumicën e votave të shqiptarëve”, thotë zëdhënësi i DR-së, Arjanit Hoxha.

Po ashtu edhe analistët janë të mendimit se duhet respektuar ky parim. “Përderisa në Maqedoni votohet etnikisht duhet të respektohet vullneti politik i shqiptarëve që jetojnë këtu”, thotë analisti Kim Mehmeti. Ai mendon se në këto zgjedhje do të ketë më shumë parti me nga më pak deputetë dhe nuk do të ketë një parti absolute që do të mund ti përfaqësojë shqiptarët. “Çdo gjë do të varet nga koalicionet shqiptare pas zgjedhore”, thotë Mehmeti.

Pjesëmarrja e një partie shqiptare në Qeveri nuk është e rregulluar me Kushtetutë dhe me ligj, edhe pse BDI-ja në vitin 2008 kur erdhi në pushtet premtoi se kjo çështje do të zgjidhet me anë të normave juridike, gjë që nuk është pranuar nga partitë politike maqedeonase.

Në zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen nga mesi i majit në garë janë më shumë parti shqiptare. Ndërkaq, partitë akoma nuk i kanë bërë gati kërkesat me të cilat do të hynë në Qeverinë e ardhshme, pasi, sipas tyre akoma është herët që të flitet për këtë çështje.

Exit mobile version