Pastrimi i parave, nga droga te zyrtarët
Nis me drogën, prostitucionin, aktivitetin kriminal dhe përfundon deri në nivele më të larta drejtuese të shtetit shqiptar.
Raporti mbi situatën e pastrimit të parave në vendin tonë, për vitin 2010, me zbardhjen e tij të plotë, mëson shumë detaje interesante mbi funksionimin e mekanizimit sesi paraja e gjeneruar nga krimi kanalizohet përmes bankave duke u “pastruar” me aktivitete të ligjëruara biznesi.
Janë me qindra milionë lekë, dhjetëra mijë euro dhe dollarë, si dhe apartamente të shumta, të sekuestruara gjatë vitit 2010, por sipas Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPP), potenciali i pasurive që duhen bllokuar është më i madh.
Rastet më të rënda të pastrimit të parave u janë kaluar organeve të prokurorisë për hetime të mëtejshme, ku në vitin 2010 regjistrohen 64 dosje.
Gjysma e tyre u takojnë veprave penale me origjinë trafikimin e lëndëve narkotike, trafikun e qenieve njerëzore, grabitje me armë dhe krimi i organizuar.
Tirana dhe Durrësi janë rajonet ku luhet “pazari” më i madh dhe skema e pastrimit prek kupolat më të larta drejtuese.
Megjithatë, rastet e dyshuara dhe të raportuara në prokurori janë kryesisht të përqendruara në jug të vendit.
Sektorët më problematikë janë ndërtimi dhe shitblerja e pronave, për të cilat DPPP-ja thotë se raportimet nga këto subjekte vijnë qëllimisht me vonesë, për të minimizuar provat e pastrimit të parave.
Edhe kazinotë nuk mbeten pas, kurse zyrat e këmbimit valutor janë objekti kryesor ku kanalizohet “paraja e pastër”.