Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i adresohet Parlamentit Evropian këtë të mërkurë, me ftesë të Presidentes së këtij institucioni të Bashkimit Evropian, Roberta Metsola.
Sipas njoftimit të Presidencës, kjo është hera e parë që një President i Republikës së Kosovës si shtet i pavarur, do t’i drejtohet seancës plenare të PE-së.
“Presidentja Osmani do t’i adresohet deputetëve të Parlamentit Evropian lidhur me arritjet e Kosovës dhe rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në komunikatën për media.
Tutje, Presidenca bën të ditur se Osmani do të shprehë mirënjohjen e qytetarëve për përkrahjen që Parlamenti Evropian ka ofruar për Kosovën që nga vitet e 90-ta.
“Gjatë qëndrimit në Strasburg, ku po mbahet seanca e Parlamentit Evropian, Osmani do të pritet fillimisht nga Metsola në një takim për të diskutuar bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe këtij institucioni, e pastaj do të takojë edhe udhëheqësit e grupeve kryesore politike të përfaqësuara në Parlamentin Evropian”.
Përveç takimeve me përfaqësues të Parlamentit Evropian, gjatë qëndrimit në Strasburg, Presidentja thuhet se do të takojë edhe përfaqësues të Këshillit të Evropës.