Ajo tha se një person me trup mesatar, e kishte parë dy herë atë ditë në afërsi të Sopotit. “E pamë kur po shkonim në kufi, ishte me një automjet të tipit ‘zaztavë’ me ngjyrë portokalli dhe pastaj e pamë sërish në të kthyer me një qen. Herën e dytë e takuam diku mes fshatit Sosheve dhe Sopot. Në momentin që e pash sërish u habita dhe nga mënyra se si na shikonte mu krijua përshtypja se ai na ndiqte”, tha ajo. Duke kujtuar atë që kishte ndodhur në mars të vitit 2003, ajo tha se atë ditë ishin nisur me pak vonesë nga qendra, ndërsa kur kishin arritur në kufi, nga biseda e ushtarëve kishte kuptuar se ata dikë pritnin aty. Në të kthyer ata në fshatin Allgunji kishin ndaluar dhe kishin marrë edhe një çift bashkëshortor që u ishin lutur për dërguar deri në Kumanovë. Pas shpërthimit të minës ajo ishte gjendur e shtrirë në anë të automjetit, ndërsa kur kish ardhur në vete pas 30-45 minutave ajo kishte dëgjuar zërin e shoferit dhe të udhëheqësit të ekipit si dhe zëra të tjerë që flisnin shqip. Filipova tha se nuk i kishte parë asnjëherë asnjërin prej të akuzuarve.
Po ashtu në seancën e së premtes për rastin e Sopotit para trupit gjykues u paraqitën Shaqir Sulejmani dhe Skënder Klaiqi, të cilët akoma gjenden në burgun e Shutkës. Avokati i të akuzuarve për rastin e Sopotit, Vullnet Paçuku kërkoi që në seancën e radhës sërish të paraqitej dëshmitari Bajram Ramadani, si dhe vëllai i tij dhe inspektori që e ka pas marrë në pyetje atë. Po ashtu Paçuku kërkoi që edhe materiali i Komisionit anketues, ku kishte dhe dokumente sekrete të merrej parasysh nga gjykata. Ndërsa avokati Naser Raufi kërkoi që dy të burgosurve Shaqir Sulejmani dhe Skënder Klaiqit të liroheshin nga burgu dhe të gjykoheshin nën masën e burgut shtëpiak.
Procesi gjyqësor zhvillohet në Gjykatën themelore Shkup 1.
11 shqiptarë të fshatit Sopot, janë akuzuar për vendosjen e një mjeti shpërthyes në afërsi të fshatit në vitin 2003, me ç’rast humbën jetën 2 ushtarë të NATO-s dhe një shtetas i Maqedonisë.