LajmeMaqedoniaPolitikaZgjedhje

Përçarja e votës shqiptare zvogëloi numrin e deputetëve

Ajo që për ne është më e rëndësishme në këtë zgjedhje, është se dëshmuam, se dimë dhe mundemi të zhvillojmë një proces me standard të larta evropiane, si gjatë fushatës e sidomos gjatë ditës së votimit. Vlerësojmë se këto zgjedhje kanë qenë një ndër zgjedhjet më të suksesshme për nga aspekti i standardeve gjatë 20 vjetëve të pluralizmit politik në Maqedoni”, zëvendëskryeministri dhe njëherit shef i shtabit zgjedhor Abdilaqim Ademi, në konferencën e sotme për shtyp.

Ai më tej shtoi se “Me këtë edhe njëherë realizuam atë që premtuam gjatë periudhës parazgjedhore, se BDI do të bëjë çmos që këto zgjedhje të jenë konform standardeve ndërkombëtare, të qeta dhe demokratike. Dëshmuam edhe një herë se kur BDI është, si pjesëmarrëse në pushtetin qendror, zgjedhjet janë demokratike dhe si të tilla i përshëndet edhe bashkësia ndërkombëtare në vlerësimet e para të saj”.

Ademi njëherit i falënderon për këtë të gjithë strukturat, anëtarët dhe simpatizantët e BDI-së të cilët dhanë kontributin e tyre që zgjedhjet të plotësojnë të gjitha standardet e larta ndërkombëtare dhe të dëshmojmë se fotografia e cila u krijua për shqiptarët e Maqedonisë, gjatë disa cikleve zgjedhore, i sidomos gjatë zgjedhjeve të vitit 2008, nuk është një pasqyrë reale për nivelin e kulturës politike dhe demokratike të shqiptarëve në Maqedoni.

“Ne që atë kohë potencuam se përgjegjësia për zgjedhjet gjithmonë qëndron tek ato që bëjnë organizimin e zgjedhjeve dhe votimit, dhe nuk duhet njollosur një popull I tërë. Ja, dëshmuam edhe njëherë këtë, dhe lirisht mund të themi se plotësuam edhe një ndër kushtet e rëndësishme në rrugën tonë drejt qëllimit tonë të përbashkët, unionit evropian dhe NATO-së”, tha zëvendëskryeministri.

Abdylaqim Ademi gjatë konferencës për shtyp u ndal edhe tek rezultatet zgjedhore, tashmë rezultate zyrtare të Komisionit Shtetëror Zgjedhor.

“Është më se e qartë se BDI është fituese absolute në këto zgjedhje tek elektorati shqiptar dhe atë duke fituar shumicën absolute të deputetëve respektivisht BDI ka 60 % të mandateve shqiptare në parlamentin e RM, ose ka numër më të madh se të gjithë partitë politike shqiptare bashkërisht”, theksoi ai.

Ademi shtoi më tej se i tërë ky besim i dhënë ndaj BDI-së nga ana e popullit shqiptar është vetëm konfirmim i politikave të drejta të BDI-së dhe besim në kapacitetin njerëzor të kësaj partie që të vazhdojë rrugën për realizimin e të gjitha aspiratave të shqiptarëve në Maqedoni që të vazhdon rrugën e përbashkët drejt qëllimit.

Çështje e dytë për të cilën Ademi elaboroi para gazetarëve është çështje e rezultateve të përgjithshme të subjekteve politike shqiptare, respektivisht rezultatet në kampin politik shqiptar.

“Është e vërtetë se tani si numër të përgjithshëm të deputetëve shqiptarë në Parlamentin e RM-së kemi 25 deputetë që është për katër më pak se në mandatin e kaluar. Disa analistë shkaqet për këtë i kërkuan tek demotivimi i elektoratit shqiptar në Maqedoni dhe dëshpërimi i tyre nga përfaqësuesit politik dhe nga politikat në përgjithësi”, vazhdoi Ademi.

Ademi në vazhdim dha konstatimin e partisë lidhur me faktorin kryesor që ka ndikuar në uljen e numrit të mandateve shqiptare, i cili në krahasim me mandatin 2008-2011 është më i ulët për 4 mandate.

“Arsyeja kryesore për këtë situatë sipas analizës tonë është jo dalja e vogël e elektoratit shqiptar në këto zgjedhje por fragmentimi ose përçarja e votës shqiptare ose forcës së elektoratit shqiptarë në Maqedoni”, tha Ademi.

Abdylaqim Ademi dha tre argumente lidhur me këtë. “E para; numri i tanishëm i deputetëve është i njëjtë ose më i lartë se në mandatet e kaluara parlamentare ku vota e elektoratit shqiptar nuk ishte e bashkuar. Në këto periudha kemi pasur 22, 18, 25 dhe 26 deputet shqiptarë në parlamentin republikan”, tha ai.

E dyta, shtoi Ademi, numri i votave shqiptare në votimet e së dielës, d.m.th. në votimet e 5 qershorit 2011 është më i lartë se në vitin 2008 ndërsa kemi më pak deputet ( 2008- 223.427 ; 2011- 236.597). Ja edhe një të dhënë, votat e shqiptarëve në njësinë zgjedhore 6 janë rritur për 6% në krahasim me zgjedhjet e vitit 2008. Rritje të votave shqiptare ka në të gjitha njësitë zgjedhore në krahasim me vitin 2008.

“Themi se faktori kryesor për uljen e numrit të deputetëve shqiptarë është defragmentimi i votës shqiptare për shkak se në këto zgjedhje BDI ka vetëm 11.000 vota  më pak në krahasim me vitin 2008 , PDSH ka 15.000 më pak ndërsa RDK dhe DR bashkërisht kanë 50.000 vota dh vetëm dy deputet, dmth, 25.000 shqiptare për një deputet”, theksoi Ademi.

“Këtë, vazhdoi Ademi, “fatmirësisht e kuptuan populli por jo dhe partitë politike se vetëm Bashkë mund të jemi të fortë, se vetëm bashkë mundemi të realizojmë qëllimet dhe se vetëm vota e bashkuar është e fortë se vetëm bashkë mund të shkojmë drejt qëllimit”.

E gjithë kjo analizë, Ademi tha se nuk ka për qëllim të paraqesë ndonjë defetizëm apo ndonjë situatë të re në të cilën forca politike shqiptare është e dobësuar. “Qëllimi i kësaj analize është vetëm të sqarojmë dhe demantojmë tezat se votuesi shqiptarë është i demoralizuar dhe i demobilizuar, gjë që shkon në favor të të tjerëve” theksoi Abdialqim Ademi.

Në fund, ai tha se forca politike e shqiptarëve është edhe më e fortë për shkak të konstilacionit të ri të forcave politike në Maqedoni, dhe këtë ata do ta materializojnë me realizmin e të gjitha projekteve të filluara në mandatin e kaluar dhe të të gjitha premtimeve dhe qëllimeve të cilat i dhanë gjatë fushatës zgjedhore.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button