Kalimi nga një bionde apo një ezmere e ndritshme në ezmere të mbyllët apo në një zeshkane është një shok për fytyrën. Me rëndësi është që ngjyrës së re t’ia përshtaten grimin e ri, por edhe ngjyrën e vetullave.
Zbuteni grimin në sy
Flokët e errëta me grim të fortë mund të duken agresive, prandaj do të ishte më mire që t’ju përmbaheni prodhimeve bazë të grimit, të cilat do ta theksojnë fytyrën tuaj. Korrektori, bojëkuqi, hijet në tone ezmere, tushi, maskara dhe buzëkuqi vjollcë mjaftojnë për fillim. Nëse ju pëlqen efekti ‘smokey eyes’, kurrsesi mos harroni t’i zbutni buzët me buzëkuq të ndritshëm.
Kaloni në nuanca të ngrohta të pudrës dhe bronzuesit
Shkaku i flokëve të errëta, fytyra shpeshherë di të duket e ‘shpëlarë’, sidomos nëse keni sy të ndritshëm. Lirisht mund të kaloni në nuanca paksa më të ngrohta të bronzuesit dhe pudrës që fytyrës tuaj do t’i falin gjallëri.
Theksojini vetullat
Flokët e verdha duken shkëlqyeshëm me vetulla të holla dhe të ndritshme, por me flokë me ngjyrë të errët duhet t’i theksoni vetullat. Natyrisht, kjo nuk do të thotë se duhet t’i vizatoni me laps të zi për çdo mëngjes, por ta gjeni një laps me ngjyrë të mbyllët ezmere që i shkon për shtati tenit dhe ngjyrës tuaj të flokut.
Edhe më tutje përdorni bojëkuq me ngjyrë vjollce dhe pjeshke
Bojëkuqin e butë, të cilin e keni përdorur gjatë kohës sa ishit një bionde, mund ta përdorni edhe më tutje, në mënyrë që fytyrës tuaj t’ia falni freskinë, por mos harroni që nën mollëza me një brushë të gjerë të vendosni pak bronzues.