Analisti Qani Aliu thotë se kjo zonë ka mbet si zonë qorre e Maqedonisë. “Një degradim në zhvillimin e përgjithshëm ka sjellë edhe lufta e vitit 2001, ku një pjesë e kapitalit të njerëzve është shkatërruar. Në vend që të ngrihet standardi, faktikisht situate është kthyer mbrapa si para luftës së vitit 2001”, thotë Aliu, duke shtuar se pas përfundimit të luftës është dashur që i gjithë potenciali ekonomik të përqendrohej në këtë zonë. “Është dash që të që investohej shumë, të bëhej rehabilitimi i njerëzve, i situatës së përgjithshme. Premtimet kanë qenë gjithnjë, sidomos pas vitit 2001, por fatkeqësisht situate është ajo që duket tash”, thotë Aliu, duke shtuar se ky rajon është lënë në harresë. Aliu thotë se pjesa maqedonase hakmerret dhe me qëllim nuk lejon asnjë investim, mirëpo, siç thotë ai, një pjesë të mirë të fajit e kanë edhe politikanët shqiptarë pasi nuk kanë këmbëngul që aty të investohet. “Tashmë paraqitet edhe problemi i kërkimit të azilit, që nuk është i rastësishëm. Kjo është gjendja sociale e popullatës të kësaj zone, ku popullata e kësaj ane barazohet me Shutkën”, thotë ai, duke shtuar se zori i madh i ka detyruar këta njerëz që të marrin me vete gratë dhe fëmijët dhe të përzihen me njerëz të kontinenteve të ndryshme, duke vënë në pikëpyetje edhe nderin familjar.
Rajoni i Likovës është një nga rajonet që u godit më së shumti nga lufta e vitit 2001, tashmë ky rajon është një nga rajonet më të varfra.