Thirrjen drejtuar këtyre vendeve, ajo e ka bërë në një intervistë dhënë portalit të Bashkimit Evropian “Euroaktiv”.
Ajo tha se do të ishte shumë më mirë sikur të kishte pasur konsensus të gjerë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, por meqë kjo ka qenë e pamundur të mbështetej përmes një rezolute të Këshillit të Sigurimit, shpallja e pavarësisë në shkurt të vitit 2008 ka qenë vetmja rrugë që t’i jepej zgjidhje problemit të Kosovës.
Lunacek ka theksuar se që nga shtatori i vitit 2009, kur është emëruar raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, rregullisht viziton Kosovën, kurse shumë herë ka qenë edhe në Beograd.
Ajo ka deklaruar se shpreson që në një të ardhme të afërt, Serbia do ta njoh Kosovën, por më parë, ka theksuar ajo, këtë veprim duhet ta ndërmarrin pesë vendet evropiane që ende nuk e kanë bërë.
Asnjë prej pesë vendeve të Bashkimit Evropian, as Spanja e asnjë tjetër nuk kanë më arsye që edhe më tej të mos njohin pavarësinë e Kosovës, sidomos pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të korrikut 2010, të apeluar nga Serbia, ku thuhet se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëtare.
Vendimi ka qenë i qartë pasi aty thuhet në mënyrë të prerë se akti i shpalljes s pavarësisë nuk ka thyer të Drejtën Ndërkombëtare. Ajo ka bërë të qartë se Kosova është një shtet i ri dhe se perspektiva e saj bashkë me atë të vendeve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. Kur kjo të ndodh, rëndësia e kufijve nuk do të jetë më ajo që ka qenë deri më tani.