LajmeMaqedoniaPolitika

Proceset integruese paraqesin procese ku të gjithë duhet t`i bartin përgjegjësitë

Sipas tij çështja e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE, zgjidhja e kontestit të Maqedonisë me Greqinë për çështjen e emrit, nuk janë çështje që i takojnë ose stagnojnë vetëm një etnitet – vetëm shqiptarët apo vetëm maqedonasit. Proceset integruese paraqesin procese ku të gjithë duhet t`i bartin përgjegjësitë.

“Në NATO dhe BE nuk mund të integrohet gjysma e Maqedonisë, apo vetëm shqiptarët. Ne nuk duam të jemi faktor që nxit qytetarët dhe që krijon hendeqe midis dy etniteteve më të mëdha, etnitetit maqedonas dhe atij shqiptar”, deklaroi kryetari i BDI-së Ali Ahmeti në intervistën javore për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij çështja e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE, zgjidhja e kontestit të Maqedonisë me Greqinë për çështjen e emrit, nuk janë çështje që i takojnë ose stagnojnë vetëm një etnitet – vetëm shqiptarët apo vetëm maqedonasit. Proceset integruese paraqesin procese ku të gjithë duhet t`i bartin përgjegjësitë.

“Ne, si BDI, do t’i bartim mbi shpatulla përgjegjësitë. Gjithsesi, këto çështje nuk janë çështje me përgjegjësi të partive në pozitë, por çështja e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE është çështje edhe e përgjegjësisë së partive politike në opozitë dhe për këto çështje kërkohet konsensus i plotë nga të gjithë faktorët politikë të vendit”, thotë në intervistën e tij Ahmeti.

Ai shton se këtyre çështjeve me kaq përgjegjësi të lartë përpiqen të mos u japin ngjyrime ndëretnike dhe ngjyrime partiake, por, si çështje të rëndësisë së veçantë që kërkojnë zgjidhje dhe të gjitha energjitë tona politike kadrovike janë të angazhuara që të japin ndihmën e tyre për një zgjidhje sa më të afërt dhe sa më të pranueshme për palët kontestuese.

Lidhur me porosinë e faktorit ndërkombltar se pa zgjidhjen e emrit nuk ka integrim për Maqedoninë dhe a pajtohet BDI-ja si partner i koalicionit qeverisës me mënyrën se si i realizon negociatat kryeministri Gruevski dhe kush është pozicioni i BDI-së në këtë drejtim Ahmeti tha se kjo është një situatë delikakate.

“Duhet ta them shumë hapur, jemi në një situatë shumë delikate, sepse mund të keqkuptohemi nga bashkëqytetarët tanë të komunitetit maqedonas se gjoja ne, shqiptarëve, nuk na intereson çështja e emrit, por ne tërësisht jemi të lidhur vetëm pas integrimit të vendit në NATO dhe BE”, thekson Ahmeti, duke shtuar se ai personalisht ka kërkuar në vazhdimësi të kihet kujdes, të rritet interesimi dhe angazhimi i të gjitha forcave ndërkombëtare të ndikojë te palët; t`i motivojnë dhe inkurajojnë t’i tejkalojnë emocionet dhe të arrihet një zgjidhje.

“Po, është më se e vërtetë se ne jemi mjaft të interesuar që vendi të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së, por ne gjithashtu duam të jemi edhe pjesë e zgjidhjes së problemit dhe për këtë ne i bëmë të gjitha angazhimet tona duke e angazhuar në këtë proces në nivel qendror edhe zëvendëskryeministrin Abdulhaqim Ademi”, thotë Ahmeti duke shpresuar në një zgjidhje sa më të hershme, sepse kjo është domosdoshmëri dhe nevojë për vendin, që Maqedonia të mos stagnojë, por proceset integruese të ecin para në dobi të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.

Duke four për regjistrimin që do të mbahet vitin e ardshëm Ahmeti tha se regjistrimi nuk duhet të politizohet ose problematizohet. Nuk duhet të krijohet panik dhe pasiguri te qytetarët, sepse asnjë palë nuk është e interesuar që të falsifikojë apo të rrezikojë komunitetin tjetër.

“Ne jemi të interesuar që ky proces të shkojë mirë duke e bërë të gjithë punën e tyre profesionale. E përsëris, nuk duhet t`i jepet dimension etnik regjistrimit, nuk duhet të kapemi për shifra se kush është 20 apo 30 ose 50 për qind dhe në mënyrë hipotetike të vihemi në pozicion t`i parashikojmë rezultatet.Nuk dua që as BDI-ja, e as ndonjë parti tjetër të përfitojë nga ky rast, sepse ky rast nuk është dobiprurës për t`u avancuar në politikë. Është një moment, një proces që Maqedonia duhet ta bëjë meqë tashmë mbushen 10 vjet nga regjistrimi i fundit dhe unë aspak nuk kam komplekse, as nuk vuaj nga ajo se dikush do të jetë i ngarkuar me energji negative për të vënë në pikëpyetje se sa do të jetë përqindja e shqiptarëve në Maqedoni apo e komuniteteve tjera”, thotë Ahmeti.

Meqë përfaqësimi i shqiptarëve në Entin Shtetëror të Statistikave është shumë i ulët, për ta bërë sa më të besueshëm procesin e regjistrimit, siç theskon Ahmeti në intervistën për Evropën e Lirë, është kërkuar vëzhgues ndërkombëtar. Gjithashtu, për t’i ikur politizimit të këtij procesi është kërkuar që Qeveria të krijojë një komision mbikëqyrës nga të gjitha etnitetet për të rritur besueshmërinë te qytetarët shqiptarë në radhë të parë.

INTERVISTA E PLOTË:

Ahmeti: Historia dhe “histeria” e dosjeve do të ketë një fund…

Institucionet e shtetit duhet të brengosen për këto “paçavure” që po shpërndahen dhe specialistët të zbardhin përfundimisht të vërtetën, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrime në Maqedoni.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ahmeti, fillimisht si i komentoni informacionet e dosjeve të plasuara në media, ku thuhet se zyrtare të lartë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, aktualisht udhëheqës të Bashkimit Demokratik për Integrime, kanë bashkëpunuar me shërbimet sekrete të UDB-së? Sa e dobësojnë ato pozitën e BDI-së në Qeveri dhe sa dëmtojnë proceset me interes për shqiptarët e Maqedonisë?

ALI AHMETI
Tani unë mendoj se e gjithë kjo histori dhe “histeri” që po ndodh, do të ketë edhe një fund. Mendoj se institucionet e shtetit duhet të brengosen për këto “paçavure” që po shpërndahen. Ne jemi të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm për këto situata të krijuara me dosjet.

Në radhë të parë, nuk duam që ne të jemi nxitës dhe t`i fusim në konfrontim njerëzit. Do t’i thërrasim njerëzit me urtësi dhe gjakftohtësi, njëherësh presim nga të gjitha institucionet e shtetit, si dhe specialistë të fushave të ndryshme, që përfundimisht të zbardhet e vërteta.

RADIO EVROPA E LIRË
Atëherë, cila është e vërteta e rreth përfshirjes së udhëheqësisë së UÇK-së në këto dosje?

ALI AHMETI
Tani më lejoni të përgjigjem me pak alegori, “mbase shqiptarët kishin qenë populli më fatlum në rajonin e Ballkanit, pasi që vetë UDB-ja ua kishte krijuar forcat e tyre të UÇK-së për pavarësinë e Kosovës dhe luftën për barazinë e shqiptarëve të Maqedonisë”.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur flasim për integrimin, është shumë e qartë porosia e faktorit ndërkombëtar “pa zgjidhjen e emrit nuk ka integrim për Maqedoninë”. Ju, si partner i koalicionit qeverisës, pajtoheni me mënyrën, si i realizon negociatat kryeministri Nikolla Gruevski dhe cili është pozicioni i partisë suaj në këtë drejtim?

ALI AHMETI
Unë kam kërkuar në vazhdimësi të kihet kujdes, të rritet interesimi dhe angazhimi i të gjitha forcave ndërkombëtare të ndikojë te palët; t`i motivojnë dhe inkurajojnë që t’i tejkalojnë emocionet dhe të arrihet një zgjidhje.

Ne, si BDI, duhet ta them shumë hapur, jemi në një situatë shumë delikate, sepse mund të keqkuptohemi nga bashkëqytetarët tanë të komunitetit maqedonas se gjoja ne, shqiptarëve, nuk na intereson çështja e emrit, por ne tërësisht jemi të lidhur vetëm pas integrimit të vendit në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Po, është më se e vërtetë se ne jemi mjaft të interesuar që vendi të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së, por ne gjithashtu duam të jemi edhe pjesë e zgjidhjes së problemit dhe për këtë ne i bëmë të gjitha veprimet tona duke e angazhuar në këtë proces në nivel qendror edhe zëvendëskryeministrin Abdulhaqim Ademi.

Dhe, shpresojmë sa më parë në një zgjidhje, sepse kjo është domosdoshmëri dhe nevojë për vendin, që Maqedonia të mos stagnojë, por proceset integruese të ecin para në dobi të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndonëse sa më shumë që zvarritet procesi i integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE, krijohet përshtypje se shqiptarët janë peng i moszgjidhjes së kontestit të emrit që ka Maqedonia me Greqinë. A mendoni se është kështu?

ALI AHMETI
Çështja e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE, zgjidhja e kontestit të Maqedonisë me Greqinë për çështjen e emrit, nuk janë çështje që i takojnë ose stagnojnë vetëm një etnitet – vetëm shqiptarët apo vetëm maqedonasit. Proceset integruese paraqesin procese ku të gjithë duhet t`i bartin përgjegjësitë.

Ne, si BDI, do t’i bartim mbi shpatulla përgjegjësitë. Gjithsesi, këto çështje nuk janë çështje me përgjegjësi të partive në pozitë, por çështja e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE është çështje dhe përgjegjësi edhe e partive politike në opozitë dhe për këto çështje kërkohet konsensus i plotë nga të gjithë faktorët politikë të vendit.

Në NATO dhe BE nuk mund të integrohet gjysma e Maqedonisë, apo vetëm shqiptarët. Ne nuk duam të jemi faktor që nxit qytetarët dhe që krijon hendeqe midis dy etniteteve më të mëdha, etnitetit maqedonas dhe atij shqiptar.

Kështu që, këtyre çështjeve me kaq përgjegjësi të lartë, ne përpiqemi të mos u japim ngjyrime ndëretnike dhe ngjyrime partiake, por si çështje të rëndësisë së veçantë që kërkojnë zgjidhje. Të gjitha energjitë tona politike kadrovike janë të angazhuara që të japin ndihmën e tyre për një zgjidhje sa më të afërt dhe sa më të pranueshme për palët kontestuese.

RADIO EVROPA E LIRË
Procesi i regjistrimit që duhet të realizohet pranverën e ardhshme ka shkaktuar përplasje të mëdha mes partive politike shqiptare. Sa i përket përfshirjes së shqiptarëve në Entin Statistikor dhe afatin e mbajtjes së zgjedhjeve, keni arritur ujdi me kryeministrin Gruevski për miratimin e kërkesave të shqiptarëve dhe shmangien e kontestimit të rezultateve?

ALI AHMETI
Mendoj se regjistrimi nuk duhet të politizohet ose problematizohet. Nuk duhet të krijohet panik dhe pasiguri te qytetarët, sepse asnjë palë nuk është e interesuar që të falsifikojë apo të rrezikojë komunitetin tjetër.

Ne jemi të interesuar që ky proces të shkojë mirë duke e bërë të gjithë punën e tyre profesionale. E përsëris, nuk duhet t`i jepet dimension etnik regjistrimit, nuk duhet të kapemi për shifra se kush është 20 apo 30 ose 50 për qind dhe në mënyrë hipotetike të vihemi në pozicion t`i parashikojmë rezultatet.

Nuk dua që as BDI-ja, e as ndonjë parti tjetër të përfitojë nga ky rast, sepse ky rast nuk është dobiprurës për t`u avancuar në politikë. Është një moment, një proces që Maqedonia duhet ta bëjë meqë tashmë mbushen 10 vjet nga regjistrimi i fundit dhe unë aspak nuk kam komplekse, as nuk vuaj nga ajo se dikush do të jetë i ngarkuar me energji negative për të vënë në pikëpyetje se sa do të jetë përqindja e shqiptarëve në Maqedoni, apo e komuniteteve tjera.

Meqë përfaqësimi i shqiptarëve në Entin Shtetëror të Statistikave është shumë i ulët, për ta bërë sa më të besueshëm procesin e regjistrimit, kemi kërkuar vëzhgues ndërkombëtar. Gjithashtu, për t’i ikur politizimit të këtij procesi, kemi kërkuar që Qeveria të krijojë një komision mbikëqyrës nga të gjitha etnitetet për të rritur besueshmërinë te qytetarët shqiptarë, në radhë të parë.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button