Vazhdon publikimi i dosjeve të funksionarëve të lartë të BDI-së. Pas dosjeve të “Mama”, “Strelac” dhe “Daja”, e përditshmja në gjuhën maqedonase “Dnevnik” publikoi sot dosjen e katërt të funksionarit të lartë të BDI-së dhe ish komandant i UÇK-së me nofkën “Ibri”. Sipas dokumenteve, “Ibri” është lindur në fshatin Zajaz të Kërçovës, ndërsa fillimi i bashkëpunimit daton që nga viti 1980 me rekomandim të bashkëpunëtorit me nofkën “Daja”. Në takimin themelues të mbajtur në një banesë në afërsi të Cyrihut, nga tetë emigrantë shqiptarë, më së paku dy ishin bashkëpunëtorë të shërbimeve serbe të sigurisë, nofkat e të cilëve ishin “Ibri“ dhe “Daja”, që të dy nga Maqedonia. “Ibri” dhe “Daja” në fillimin e viteve ’80 kanë bashkëpunuar me shërbimet sekrete jugosllave, ndërsa ai bashkëpunim ka vazhduar edhe në kohën e Sllobodan Millosheviqit” thuhet në dosjen të cilën e publikoi e përditshmja “Dnevnik”. Në dosje ka dokumente që përputhen me dokumentet e dosjes “Daja”, posaçërisht lidhur me vrasjen e vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe shokut të tyre Kadri Zekës. Përmenden gjithashtu edhe shumë emra të shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia dhe Evropa Perëndimore për të cilët “Ibri” dhe “Daja” u kanë dhënë informata shërbimeve“, shkruan më tej ‘Dnevnik’.
Angazhmani i tij Beogradit i ka kushtuar 167.560 franga zvicerane, 50.000 marka gjermane si dhe një shumë e pavërtetuar në dinarë. Nga periudha prej 1983/84 deri në qershor të vitit 1997, “Ibri” shërbimeve u ka dorëzuar mbi 10 mijë informacione të vlefshme, të dhëna, shënime dhe dokumente” thuhet mes tjerash në shkrimin e publikuar në “Dnevnik”.
Ndaj shkrimit në gazetën “Dnevnik’ ka reaguar partia e Ahmetit. Shpesh herë na ka ndodhur të provokohemi, të goditemi dhe të sulmohemi në mënyrat më të ulëta e më të pista, më jo dinjitoze, më jo njerëzore, madje edhe me plumba “kallashi“ pas shpine. “Kjo që me ditë të tëra po ndodh me të ashtëquajturat “dosje”, të cilat janë të fabrikuara nga laboratorët e mbeturinave të politikës antishqiptare, kalon çdo kufi, shkel çdo normë njerëzore dhe rrënon çdo tezë të kufirit të çmendurisë. Ato kësaj radhe, në çmendurinë e tyre, e tejkaluan edhe veten. BDI duke i dënuar, duke u distancuar dhe duke shprehur neverin e çdo shqiptari i pyet fabrikuesit dhe shpërndarësit e këtyre fabrikimeve: A ka kufi çmenduria juaj? Deri ku jeni të përgatitur të shkoni në përcarjen e popullit dhe përdhunimin luftërave më të lavdishme të popullit shqiptar të shekullit njëzet, siç janë ato të Kosovës dhe Maqedonisë”, thuhet në reagimin e BDI-së, ku shtohet se populli shqiptarë nuk do të lejoj që kontabandistët dhe fundrinat e politikave antishqiptare të ulin krenarinë dhe shenjtërin e luftave të drejta të popullit tanë.
Në reagimin me shkrim BDI-ja bënë apel deri te të gjithë qytetarët, të mos binë pre e provokimeve, por si gjithmonë, të rruajnë gjakëftohtësinë, për shkak se përçarja dhe vëllavrasja është qëllimi kryesor i këtyre strukturave antishqiptare. /Shkëlzen Aqif/