Vitin e ardhshëm pritet të kemi policë komunalë. Ata duhet të punojnë nën kompetencat e pushteteve lokale dhe të bashkëpunojnë me inspektorët komunalë dhe eko-patrullat.
Të njëjtit do të kenë detyrim t’i ndëshkojnë qytetarët që hedhin mbeturina në mes të rrugës, i lënë mbeturinat aty ku nuk duhet, krijojnë deponi ilegale, djegin goma, shkatërrojnë kontejnerë, më pas, ata që parkojnë gabimisht, që uzurpojnë hapësirë publike, ndërtojnë ose shesin në mënyrë të paligjshme.
Policët komunal do të mund të ndëshkojnë nëse dikush lëshon muzikë me zë të lartë, dhe madje mund të ndëshkojnë për ngasje të makinës në shëtitore. Për momentin, nëse një inspektor ju kap duke hedhur mbeturinë në tokë e jo në kosh plehrash, nuk mund t’ju dënojë, kurse policët komunal do të kenë detyrë të tillë.
Policia komunale është më se e nevojshme në qytetin e Shkupit për arsyen e thjeshtë se duhet të dihet se cili institucion çfarë bën. Ne për momentin kemi dyfishim ose trefishim të kompetencave të institucioneve dhe ky është pozicion i mirë ping-pongu që e quaj unë- për hedhjen e përgjegjësisë se kush është përgjegjës për diçka e kush jo – tha Petre Shilegov- kryetar i Qytetit të Shkupit.
Propozim nga Qyteti i Shkupit iu dërgua Qeverisë më herët, por kjo e fundit nuk ishte e interesuar ta hapë këtë temë në njërën nga seancat e para.
Qeveria nuk ka diskutuar për këtë çështje akoma dhe asnjë vendim nuk është marrë deri më tani. Nëse vendimi merret në ndonjë prej seancave, opinioni do të njoftohet menjëherë – njoftojnë nga Qeveria.
Ligji përcakton që polic komunal mund të jetë edhe një pensionist, për të cilin do të ishte punë honorar krahas pensionit. Sidoqoftë, përparësi do t’u jepet atyre që punojnë ose kanë punuar në polici ose ushtri.