Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë (BFIM) ka akuzuar Qeverinë si shkaktare të incidenteve në Kalanë e Shkupit.
“Jemi të shqetësuar për faktin se vetë Qeveria me projektet e saj rrezikon që me akte të tilla të vë në rrezik jetën e qytetarëve tjerë të pafajshëm. Dhuna që u përdor të dielën në kala duhet të jetë mjeti i fundit i Qeverisë së Maqedonisë për ti thënë stop retorikës nacionaliste për të nxitur një konflikt ndërfetar dhe ndëretnik”, tha Driton Dikena nga BFIM, duke shtuar se si rezultat i kësaj dhune ishte edhe tentimi i djegies së xhamisë së Hamza Beut në Manastir dhe shkatërrimi i ndriçimit të varrezave myslimane në Strugë. Sipas BFIM-së, dhuna në Kalanë e Shkupit është reflektim i diskriminimit zinxhiror islam që nga pavarësia e Maqedonisë duke nisur me ndërtimin e kryqeve mbi Sahat Kullat islame, djegien e xhamive gjatë konfliktit në vitin 2001, mos lejimin e rindërtimit të tyre siç është rasti më xhaminë e Prilepit, uzurpimi i xhamive nga ana e shtetit si Jeni Xhamisë në Manastir ku shteti në mënyrë ekspres tani në aktet e veta e emëron si Kisha e Shën Gjergjit, pastaj shitjen e Husamedin Xhamisë në Shtip Kishës Ortodokse Maqedonase, ndërtimin e kishës së Klimentit mbi themelet e Xhamisë së Imaretit në Ohër, ndërtimi i Filarmonisë mbi themelet e Xhamisë Ibni Pajkos, mos kthimin e pronave të nacionalizuara të vakëfit edhe pas 10 vitesh të sjelljes së ligjit për denacionalizim duke arrit kulmin me injorimi i kërkesës së BFI për rindërtimin e Burmali Xhamisë. “Shteti nuk përfundon këtu, po vazhdon me avazin e diskriminimit institucional duke publikuar edhe tenderin për ndërtimin e Shtëpisë së Oficerëve mbi themelet e Xhamisë Burmali”, tha Dikena, duke shtuar se Qeveria punon për interesat e Kishës Ortodokse.