Radioaktiviteti nga Japonia po troket në derë, ndërsa Maqedonia vazhdon të flejë. Në fqinjin lindor, në Greqi, veç më u zbuluan elementë të radioaktivitetit në produktet e ardhura në Greqi nga Japonia.
Nga Drejtoria për siguri radioaktive thonë për “Lajm” se e ndjekin situatën me vëmendje dhe janë në kontakte të vazhdueshme me Qendrën për incidente dhe situate të jashtëzakonshme pranë Agjencisë Ndërkombëtare për energji atomike. “Në vazhdimësi ndjekim gjendjen e rrezeve gama në të gjithë territorin dhe shpesh japim informata për gjendjen nukleare në Maqedoni”, thonë nga kjo Drejtori. Për kontrolle në aeroporte dhe dogana, as që flitet. Ndërkaq, në Greqi kanë filluar kontrollet e rrepta në dogana, porte e aeroporte, ndërsa rezultatet do dërgohen në laboratorë, e më pas do monitorohen edhe zona të tjera të vendit. Megjithatë, shkencëtarët janë të përmbajtur në deklaratat e tyre për të mos shkaktuar alarm dhe panik. Shqetësimi duket se ka filluar kur pas kontrollit në një nga aeroportet e Greqisë u konstatuan shenja të vogla radioaktiviteti që kanë mbërritur nëpërmjet sendeve të pasagjerëve grekë që ktheheshin nga Japonia. Menjëherë u kontrolluan 47 persona të tjerë, madje në 5 prej tyre kontrolli u përsërit, por fatmirësisht nuk u konstatuan shenja infektimi radiologjik në trupat e tyre. Siç tha specialisti i institutit për studimet radiologjike Nikos Katsaros në rrobat dhe bagazhet e njerëzve që vijnë nga Japonia, është gjetur pluhuri radioaktiv. Sipas tij, kjo nuk do të përbëjë problem për pasagjerët dhe do të eliminohet me një larje të kujdesshme të valixheve, këpucëve dhe rrobave. Fakti që rrezatimi radioaktiv nuk u gjet në trupat e njerëzve është shumë inkurajues. Ata sigurojnë publikun se nivelet e radioaktivitetit në vend, janë të kontrolluara në mënyrë të vazhdueshme dhe sistematike përmes Rrjetit Kombëtar të Telemetrisë, i cili ka funksionuar që nga viti 2000.