Sukses të shkëlqyeshëm kanë arritur tre reprezentueset e Maqedonisë në karate, anëtare të KK Arena nga Struga, në Kampionatin europian të Wado-Kai që me 22 e 23 tetor u mbajt në kryeqytetin portugez, Lisbonë.
Kështu, Drilona Biçaku në kategorinë -53 kg, ka fituar medalje të artë, duke mundur në finale garuesen nga Portugalia me rezultat të thellë 7:0.
Reprezentuesja tjetër, po nga KK Arena, Fatjona Aliu, në kategorinë e juniorëve -55 kg, në një mec pothujase të barabartë, 4-4 në kohë të rregullt, me rivalen angleze, arriti që në kohën shtesë të poentojë katër herë dhe të rrëmbej medaljen e artë.
Ndërsa, kadetja Medina Bujari (-53 kg), në finale u ndal nga kundërshtarja e saj angleze duke u kënaqur me medaljen e argjendtë.
Trajneri Shefi Reçi, i cili me karateistet e tija i solli Maqedonisë dy medalje të arit dhe një të argjendit, pas kthimit nga Lisbona e Portugalisë theksoi se është i kënaqur me suksesin e arritur.
“Në një konkurrencë prej 15 vendeve ku ishin mbi 350 garues, karateistet e KK Arena fituan dy medalje të arta e një të argjendtë konsideroj se është sukses i madh dhe për këtë jam i kënaqur.
Shpresoj se edhe në të ardhmen do të punojmë me përkushtim, për të qenë në kontinuitet në kreun e karatesë evropiane e pse jo dhe botërore”, tha Shefi Reçi. Ai shtoi se përgatitjet intensive, rregullshmëria, disiplina në stërvitje dhe sidomos në garë, kanë dhënë rezultatet e pritura, sidomos pas largimit nga salla e shkollës “Vll. Milladinovci”, ku kanë zhvilluar stërvitjet dhe pajisjes së një sallë tjetër stërvitore.