Nga një analizë e revistës prestigjioze gjermane, të specializuar në garat motorike, “Auto Motor & Sport”, doli në pah se skuadra e “Demave të Kuq” jo vetëm që po dominon dy renditjen e Botërore, atë të pilotëve dhe atë të Konstruktorëve, por është edhe ekipi i vetëm që ka kompletuar me të dyja makinat e saj maksimumin e xhirove të mundshme të garat e zhvilluara deri tani në 2011-n, ose më saktë 1362 xhiro.
“Ndër vite është thënë gjithnjë se makinat e projektuara nga Adrian Neue kanë qenë shumë shpesh mjaft të shpejta, por jo dhe aq të besueshme. Por ato ditë kanë mbaruar edhe zyrtarisht”, lexohet në artikullin e revistës gjermane.
Vetë pronari i skuadrës austriake, që është edhe kampione e dyfishtë botërore në fuqi, Cristian Horner, deklaroi: “Tashmë dimë t’i menaxhojmë më mirë makinat ekstreme që ndërton Adrian”. Nëse Red Bulli do ta ruajë besueshmërinë e saj perfekte deri pas garës së fundit të sezonit 2011, në Brazil, ajo do të bëhet skuadra e parë në historinë e Formula 1 që do ta bëjë një arritje të tillë.
Force India – Në mënyrë surprizë, në vendin e dytë, me 96% të xhirove totale të përshkruara me të dyja makinat, gjendet skuadra e Force Indias, që gëzon partneritetin teknik të McLarenit dhe garon me motorët shumë të fuqishëm Mercedes.
Ferrari është në vendin e tretë, me Fernando Alonson dhe Felipe Masën që kanë kryer deri tani 89% të xhirove totale të kampionatit.
Shumë pranë ekipit italian gjendet edhe skuadra e McLarenit, që ka përshkruar plot 88,2% të xhirove totale, e njëjta vlerë me skuadrën e Toro Rosos.
Më tej vijnë Renault, Sauberi, Mercedesi dhe Virgin. Williamsi është në vendin e dhjetë me 84,2% të xhirove totale të kompletuara, duke lënë pas vetëm Hispanian dhe Lotusin, që mbyll renditjen.
Në fakt, ky është një revolucion i vogël për Formula 1, pasi në të gjithë historinë e saj nuk janë parë kurrë makina kaq të besueshme, aq sa gjatë garës së Valencias çdo makinë shkoi deri në finish.