“I’ll be back”. Fraza e Terminator, që prej vitit 1984 u lidh me emrin e tij, aktualisht tingëllon më e vërtetë se kurrë. Pas shtatë vitesh në rolin guvernatorit të Kalifornisë, pak ditë më parë në Kanë deklaroi rikthimin në skenë. Kinema, televizion, filma me kartona të animuar, videolojëra, nuk ka asnjë aspekt të shou-biznesit ku nuk do që të përfshihet. “Por do t’i bëj zgjedhjet e mia me qetësi”, deklaron i veshur me një kostum të bukur ngjyrë gri, nga pantallonat e të cilit dallohen qartë çizmet kauboj”.
Schwarzenegger ndodhet në Kanë për të prezantuar hapin e tij të parë të jetës si yll i shou-biznesit, një film me kartona
i krijuar së bashku me babain e të gjithë superheronjve, me titullin “The Governator”, një përzierje mes fjalëve “Governor” e “Terminator” që shpjegon mirë se për çfarë lloj personazhi bëhet fjalë.
Schwarzenegger, si ka mundësi që vendosët të ktheheshit në skenë me një film me kartona, në vend të një filmi të vërtetë?
Sepse mes shumë ideve që m’u propozuan, m’u duk më e mira. Pastaj sepse mbi të gjitha, më pëlqente ideja për t’i befasuar të gjithë. Nëse do të kthehesha me një film aksion, kjo ishte një gjë e pritshme dhe e parashikueshme për të gjithë.
Si lindi projekti?
Kisha njohur Stan Lee, por nuk kishim pasur kurrë mënyrën për t’u ballafaquar me idetë dhe projektet. Pesë minuta që ishim bashkë në një dhomë, kishim nisur nga puna. Filmi me kartona të animuar është aksion, madje më shumë se sa keni parë në të kaluarën, por në të njëjtën kohë ka shumë komicitet. Nuk është një film i dhunshëm, nuk priten koka dhe nuk ka gjak nga të gjitha anët. Nuk ka superpushtete, por vetëm një njeri që përpiqet të luftojë krimin me vendosmëri. “The Governator” është i ngjashëm me mua, bën bashkë botët e mia, atë të politikës, argëtimit dhe atë të sportit. Janë të gjithë personat që kam takuar dhe mbi të gjitha është një grup adoleshentësh të zgjuar dhe inteligjentë, që më ndihmojnë në mënyrë thelbësore.
Më mirë një guvernator apo hero i filmave aksion?
Si guvernator, duhet të mendosh për të mbajtur plazhet e pastra, të hapësh vende të reja pune, të gjesh paratë për shkollat, ndërsa si hero i filmave aksion duhet vetëm të shpëtosh botën. Por në të dyja rastet duhet të kesh njerëzit si partnerë, duhet të dish se çfarë kërkojnë. Duhet të plotësosh nevojat dhe dëshirat e tyre.
Ju mungon puna juaj si guvernator?
Në fillim të mungon adrenalina që të jep marrja e vendimeve sa të rëndësishme, aq edhe të rrezikshme. Je mësuar të ngrihesh në orën 7:00 të mëngjesit, të kesh një kalendar intensiv, me takime çdo 30 minuta deri në darkë, ku takon njerëz interesantë, merresh me çështje të ndryshme, mjedisin, kriminalitetin, edukimin, punën, të rinjtë. Është një përvojë nga e cila mëson shumë. Por më argëton shumë edhe ideja që do të kthehem në botën e shou- biznesit. Por kjo nuk do të thotë se do të lë angazhimin politik mënjanë.
Kthimi në një film me kartona të animuar nuk është njësoj si ai në ekran me një film të vërtetë…
Pikërisht për këtë arsye, jam i kënaqur. Në kinema do të rikthehem, po lexoj me dhjetëra skenarë, kam pasur një mal me propozime, por preferoja të bëja diçka të re dhe befasuese. Pastaj nuk kam frikë nga gabimet. Të gabosh është e vetmja mënyrë për të arritur suksesin. Unë vij nga bota e sportit, di që duhet t’i bëj sytë katër, por tani dua të përqendrohem te ky projekt i ri. Për kinemanë, do të mendoj më vonë.
Vajza juaj sapo ka publikuar një libër. Çfarë raporti keni me të?
Shumë të mirë. Edhe tani që frekuenton universitetin, flasim në telefon të paktën gjashtë herë në ditë. I kemi qëndruar afër. E dëgjoja dhe këshilloja pa më gjykuar kurrë. E di që është normale për një adoleshente të kundërshtojë prindërit, të rebelohet, por ky është gabimi më i madh që bëjnë në këtë moshë: një raport i mirë me ta është thelbësor për mënyrën se si adoleshentët do të mendojnë dhe sillen në të ardhmen. Fakti se ajo fliste me ne, e ka ndihmuar shumë.
Në libër, ajo i përshkruan vitet e kolegjit si ankth, sepse e ndiente veten shumë të shëndoshë…
Ka eksperimentuar lloje të ndryshme dietash, madje edhe ato më ekstremet, ku për shumë ditë me radhë ka pirë vetëm një lëng të pështirë – një përzierje uji, limoni, shurup panje dhe piperi. Për më tepër, një mikesha e saj anoreksike e këshilloi që ta villte të gjithë ushqimin pasi e hante, por nuk ia arriti dot. Ne i qëndruam afër. Shkonte në palestër dhe merrej me sport si një e çmendur. Ishte e mbushur me ankth, qante natën dhe në mëngjes nuk donte të shkonte në shkollë. Ka kaluar shumë vite duke kërkuar të ngjante ashtu si të tjerët do të donin ta shikonin. Për fat, tani është mirë dhe në rrugë të mbarë.