Kur kanë kaluar 4 ditë nga përplasja me armë në Kumanovë mes një grupi shqiptarësh dhe policisë maqedonase, vjen rrëfimi i një prej bashkëluftëtarëve të arrestuar.
Abaz Salihi e quan kurth sulmin në Kumanove ndaj grupit të shqiptarëve, ndërsa tregon edhe si rrodhën ngjarjet. Bashkë me Abaz Salihin, i cili është njohur si Ali Ahmeti gjatë luftës së vitit 2001, u arrestuan edhe Mirsad Ndrecaj, Sami Ukshini, Beg Rizaj dhe të tjerë.
Salihi ka shpjeguar se shokët e tij kishin shkuar në Kumanovë, pasi kishte informacion se policia maqedonase do të bënte masakër ndaj popullatës, por sapo kanë mbërritur aty kanë rënë pre e sulmeve policore.
“Shokët e mi kanë shku në Kumanovë, jo për të nisur luftë, por për të qenë aty në rast se forcat e ndryshme maqedonase fillojnë masakër kundër popullatës civile. Ne kishim një paralajmërim të këtillë dhe ata shkuan të ftuar atje nga disa bashkëluftëtarë të 2001-t. Sulmi ka pas me ndodhë edhe po të mos ishin djemtë tanë atje. Për këtë flet edhe numri i madh i viktimave në radhët e policëve. Tetë policë të vrarë dhe dhjetëra të plagosur, në aksion ofensiv, ku kundërshtari është nën rrethim, ndodh vetëm kur ti pret pak ose aspak rezistencë. Unë i kam kalu tri lufta dhe e di shumë mirë se në çfarë rrethanash ka numër të madh të viktimave”, ka deklaruar Salihi.
Të njëjtin qëndrim si Salihi, për një komplot ndaj grupit të shqiptarëve, ka mbajtur edhe UÇK-ja gjatë një deklarate publike, por ka pretenduar se grupi ishte tradhtuar nga disa banorë.
Por, ngjarja në Kumanovë ka sjellë forcim masash në të gjitha pikat kufitare të Maqedonisë, duke përfshirë edhe ato me Shqipërinë. Prania e forcave maqedonase në kufi me Shqipërinë është rritur ndjeshëm gjatë ditës së djeshme, sidomos në Doganën e Bllatës, ku vazhdimisht ka ardhur duke u rritur numri i forcave policore e ushtarake.
Lajmi konfirmohet nga banorët e zonave përreth dhe nga krerët e komunave. Sipas tyre, shtimi më i dukshëm i forcave maqedonasve, policore dhe ushtarake, në kufi me Shqipërinë, ka ndodhur gjatë mbrëmjes së djeshme.
Ngjarja në Kumanovë është ndjekur me vëmendje edhe nga faktori ndërkombëtar, ndërsa nuk kanë munguar edhe reagimet. Pas reagimit të OKB, një zyrtar i Departamentit të Shtetit tha për “Zërin e Amerikës” se qeveria amerikane po ndjek nga afër situatën në Maqedoni dhe është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet dhe udhëheqësit politikë të këtij vendi.
Zyrtari u bëri thirrje banorëve të ruajnë qetësinë dhe të lejojnë zbardhjen e fakteve për dhunën në Kumanovë. Diplomati amerikan u bëri thirrje udhëheqësve të Maqedonisë të bashkëpunojnë dhe të hapin një dialog për zgjidhjen e sfidave me të cilat ndeshet vendi i tyre, si krizën e zgjatur politike dhe realizimin e reformave të nevojshme.