Në Maqedoni numri i martesave të lidhura në mes të partnerëve të moshës së mitur, është shumë i theksuar, sidomos te popullata rome. Po ashtu të theksuara janë edhe bashkëjetesat ilegale, në mes të partnerëve të moshës së mitur, apo të të miturve nën moshën 14 vjet.
Këtë gjendje e pasqyrojnë më së miri të dhënat e entit shtetëror për statistika, ku numri i martesave të lidhura gjatë vitit të kaluar, paraqet 14 mijë e 923 martesa, ndërsa 381 prej tyre, janë martesa mes partnerëve të mitur. Martesat e të miturve, sipas të dhënave të Qendrës për punë sociale, janë prezent te të gjitha nacionalitetet. “Martesat mes partnerëve të moshës së mitur është një problematike e re për shoqërinë tonë, posaçërisht në dimensionin legal. Sociologjikisht, mosha e adoleshencës është moshë e formimit të personalitetit, si në aspektin fizik ashtu edhe në atë psiko-mental dhe intelektual dhe të pjekurisë për të marrë përgjegjësi” vlerëson sociologu Ali Pajaziti. Sipas tij, kurorëzimet e hershme janë problematike nëse masivizohen, sepse fëmijët nuk -është e logjikshme të formojnë familje, sepse nuk kanë arritur nivelin për t’u pavarësuar dhe për t’u bere shtëpi, oxhak. Me qëllim të mënjanimit të këtij fenomeni, shumë organizata joqeveritare kanë realizuar projekte të shumta, posaçërisht për sqarimin e pasojave te të rinjtë, që bijën martesat e tilla, siç janë divorcet, problemet sociale, por edhe ato shëndetësore. Çiftet e tilla mund të bëhen ngarkesë për familjen bazë, mund te gjenerojnë telashe për shoqërinë, mund të përfshihen nga vetë destruksioni dhe statizmi social, pra nuk arrijnë te vetë realizohen, ngecin në shkollim, punësohen herët, gjasa te mëdha kanë për të devijuar. Parodia e martesave të parakohshme janë aq destruktive sa edhe martesat e vonuara.. Numri më i madh i martesave është lidhur mes partnerëve të moshës prej 25-29 vjet, ose gjithsej pesë mijë e 537 martesa. Sipas të njëjtave statistika, gjatë vitit të kaluar 122 martesa janë lidhur mes partnerëve të moshës 55 vjeç dhe më tepër.