www.Zemra.Org

Rufi Osmani: Kush do të regjistrojë le të marrë pushim

Kryetari i komunës së Gostivarit, Rufi Osmani demantoi se po e pengon procesin e regjistrimit duke u ndaluar administratorëve komunalë që brenda orarit të punës në komunë, të bëjnë regjistrim të popullatës.

“Është e palogjikshme që selektimi i kuadrove të behët pa njoftimin dhe pa marrjen pëlqim nga ana e kryetarit të komunës, për angazhim të administratorëve komunalë si regjistrues të popullsisë. Në një situatë kur në komunë kemi mijëra të papunë, është e palogjikshme që dikujt t’i jepen angazhime të dyfishta dhe njëherit të merr kompensim të dyfishtë brenda orarit të punës. Ndalesën në fjalë e bëra shkaku i obligimeve të shumta operative të administratorëve komunalë, ndërsa atyre të cilët kanë dëshirë të jenë regjistrues, ua ofrova mundësinë që të shfrytëzojnë pushimin vjetor”, deklaroi Osmani.

“Fillimisht nga Komisioni i regjistrimit ishin caktuar 40 administratorë komunalë si regjistrues, por falë mirëkuptimit të kryetarit të Komisionit komunal të regjistrimit, pjesa dërmuese e tyre janë zëvendësuar me regjistrues tjerë, ndërsa kanë mbetur vetëm edhe 5-10 administratorë për t’u zëvendësuar. Ndalesa nuk duhet kuptuar si një akt politik, por thjeshtë si një akt menaxherial nga ana ime”, nënvizoi kryetari i komunës së Gostivarit, në prononcimin e tij për media.

Osmani bëri të ditur se Komuna e Gostivarit nuk ka për qëllim të pengojë mbarëvajtjen e regjistrimit të popullsisë, që e dëshmon edhe me faktin se Komisionit komunal të regjistrimit i ka lëshuar në shfrytëzim një hapësirë adekuate për punë në NP ”Komunalec”. Por, ai ripërsëriti qëndrimin e tij se procesi i regjistrimit, si një proces shumë i rëndësishëm statistikor, zbatohet me mangësi të shumta.

Exit mobile version