Osmani ka theksuar se shqiptarët në Maqedoni duhet të përfaqësohen nga politikanë që dinë të avancojnë statusin dhe të drejtat e tyre në këtë shtet.
“Shqiptarët meritojnë të përfaqësohen nga politikanë të ditur, të ndershëm dhe me vizion të qartë për të ndihmuar procesin e demokratizmit të ambientit politik në vend dhe për të avancuar të drejtat kolektive të shqiptarëve dhe të të gjithë qytetarëve në vend. Zgjedhjet politike janë shansi i vërtetë për të bërë ndryshimin pozitiv në dobi të qytetarëve, vendit dhe të perspektivës sonë. Ftoj qytetarët, që me votën e tyre të lirë, të bëjnë ndryshimin e domosdoshëm demokratik”, është shprehur Osmani.
Kreu i RDK-së thekson se oferta e partisë të cilën e drejton dallon dukshëm në krahasim me ofertat e partive tjera politike.
“Objektivat politike, autonomia lokale, konsensusi vendimmarrës dhe kuadrot me integritet të lartë moral dhe intelektual, bëjnë që oferta jonë të jetë e dallueshme në krahasim me ofertat e konkurrentëve tanë politikë shqiptarë dhe partive tjera në nivel nacional. RDK, është subjekt politik i cili në programin e vet ngërthen idealin e vjetër shqiptar për barazi të plotë në sistem me kombin maqedonas, bërjen e gjuhës shqipe si gjuhë të dytë zyrtare, transformimin e RM-së në shtet me vendimmarrje konsensuale për çështje me interes nacional…”, ka thënë në intervistën dhënë gazetës “Koha e Re”, lideri i RDK-së Rufi Osmani.