Në Manastir dhe në Ohër, aty ku para 100 vjetëve, 69 për qind e popullsisë ishin shqiptarë, sot nuk gjenden dot as rreth 500 regjistrues shqiptarë.
Në bazë të konkursit të shpallur nga Komisioni Shtetëror për Regjistrim, në Manastir nevojiten 410 regjistrues shqiptar, ndërsa në Ohër 51 regjistrues shqiptarë. Në këto rajone nuk është plotësuar as 50-të për qind e regjistruesve. Profesor Nebi Dervishi thotë se në bazë të regjistrimit osman të bërë para 100 vjetësh, 69 për qind e popullsisë së Manastirit dhe Ohrit ka qenë shqiptare. “Sipas regjistrimit osman në manastir në atë kohë kanë jetuar 69 për qind shqiptarë, ndërsa të tjerët kanë qenë bullgarë, vlleh dhe pakica të tjera, mes të cilave dhe shqiptarë ortodoks. Ndërkaq, sipas statistikave të vitit 1912 në Ohër ka pas 68-69 për qind shqiptarë”, thotë Dervishi.
Ndërkaq, për regjistrimin e vitit 2011, Komisionit shtetëror për regjistrim do ti duhet që të çojë në Manastir dhe në Ohër regjistrues shqiptarë nga rajonet e tjera. “Të enjten pasdite bëhet zgjedhja e kandidatëve që kanë konkurruar në konkurset e shpallura para pak ditësh. Sipas informatave që kam mungesë të regjistruesve shqiptarë ka në Manastir dhe në Ohër. Megjithatë problemin do ta zgjidhim duke dërguar regjistrues nga rajonet e afërta, por nëse sërish nuk plotësohet numri, atëherë do të dërgojmë regjistrues nga rajonet e tjera”, sqaron Selim Ademi, anëtarë i Komisionit për Regjistrim. Mungesa e regjistruesve në Manastir dhe në Ohër do të plotësohet me regjistrues nga Struga.Të premten kandidatë që kanë aplikuar në konkurset e Komisionit për regjistrim do të marrin përgjigje si dhe do të informohen për kohën kur do të nisin me trajnimin e tyre. Ademi thotë se Enti shtetëror për Statistikë vazhdon me trajnimin e regjistruesve që vijnë nga administrate. “Trajnimi nisi të martën me regjistruesit e rajonit të Shkupit, ndërsa më pas u vazhdua me trajnimin e regjistruesve nga rajonet e tjera. Besoj se deri në fund të kësaj jave do të përfundojë trajnimi I regjistruesve nga administrate, ndërsa në fillim të javës së ardhshme do të niset me trajnimin e regjistruesve që aplikuan në konkurset që shpalli Komisioni para dy javëve”, thotë ai.
Për regjistrimin e popullsisë që do të bëhet nga 1 deri më 15 tetor janë angazhuar rreth 201 mijë persona. Regjistrimin do ta realizojë Enti Shtetëror për Statistikë në Bashkëpunim me Komisionin Shtetëror për Regjistrim dhe do të mbikëqyret nga EUROSTAT.