www.Zemra.Org

Sërish debat i cunguar

Disa liderë të partive politike shqiptare në Maqedoni bënë thirrje për debate parazgjedhore, kurse disa liderë nuk e zënë të arsyeshëm konfrontimin. Zëdhënësi i Demokracisë së Re (DR), Arjanit Hoxha tha se kjo parti gjithnjë ka qenë e gatshme për debate me partitë tjera si dhe disa herë iu ka bërë ftesë liderëve të tjerë për debat. “Ne edhe në të kaluarën edhe tani jemi të gatshëm për debat. Disa herë iu kemi bërë ftesë liderve të partive tjera, por ata nuk iu janë përgjigjur ftesës sonë”, tha Hoxha. Ai shtoi se lideri i DR-së është i hapur që të përballet me oponentët e tij politik. Zëdhënësi i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Agron Ferati thotë se PDSH seriozisht do t’u qaset emisioneve debative që do të organizohen gjatë fushatës zgjedhore. “Angazhimi për të dëshmuar rrugën e drejtë të PDSH-se do të jetë shume i madh. Prioritet i PDSH-së do të jetë që në emisionet debative të ballafaqohemi me oponentin real politik në Maqedoni dhe jo me partitë të cilat mundohen të pengojnë apo keq-drejtojnë artikulimin e drejtë të kërkesave të PDSH-së, njëkohësisht edhe kërkesa të gjithë shqiptarëve”, tha Ferati. Ndërkaq deputeti Xhevat Ademi tha se lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti nuk ka oponent politik dhe nuk ka nevojë që të përballët dhe të debatojë me askënd. “Asnjë lider politik nuk është në nivelin e liderit të BDI-së, andaj ai nuk ka oponent politik dhe nuk ka nevojë për debat dhe as të përballet me askënd”, tha Ademi. Ndërsa ende pa filluar fushata parazgjedhore, tani më liderët e partive politike shfaqin interesin se me kë duan dhe me kë nuk duan që të debatojnë.

Exit mobile version