Intervistat me Sharon Stone janë gjithmonë një fat i madh. Jo sepse është një nga aktoret më të mëdha e më të famshme të Hollivudit, por mbi të gjitha sepse është një personazh jashtë çdo lloj kornize, jashtë çdo rregulle fikse. Një grua gjithmonë gati për të ndërmarrë beteja që të mbrojë idetë dhe të drejtat e më të dobëtëve, por edhe një seks simbol i padiskutueshëm, çmim të cilin e gëzon që prej skenës së famshme në filmin “Basic Instinct”. Karriera e saj ka qenë plot ulje-ngritje: suksesi erdhi pas 30 vjetësh, pikërisht falë filmit të paharrueshëm të Paul Verhoeven, ku interpretonte përkrah Michael Douglas, nominimi për “Oskar” me “Casinò” të Martin Scorsese, dhe pastaj një periudhë e gjatë ku dukej se nuk po gjente dot filmin e përshtatshëm për të. Për të mos folur pastaj për gafat e shumta në publik: më e madhja kur deklaroi se tërmeti i tmerrshëm në Kinë në vitin 2008 ishte një lloj ndëshkimi nga Zoti për sjelljet e këqija të atij vendi. Këtyre iu shtuan edhe problemet me shëndetin (që tanimë janë zgjidhur) dhe stresi për divorcin nga ish-bashkëshorti, gazetari Phil Bronstein. Çështje të vështira dhe të dhimbshme, që kulmuan me humbjen e kujdestarisë për Roan, më i madhi nga tre fëmijët e adaptuar. Pas çmendurisë së radhës u shfaq nudo në revistën “Playboy” për të festuar ditëlindjen e saj të 50. Këto kohët e fundit aktorja po kërkon të rehabilitojë imazhin e saj: jep shumë rrallë intervista dhe shfaqet në publik vetëm për të mbështetur çështje humanitare. Në fakt, aktorja këtë intervistë vendosi ta japë vetëm sepse bëhej fjalë për një iniciativë që e ka shumë për zemër e që prej dy vjetësh po e çon përpara me firmën e prodhimit të bizhuterive “Damiani”. Ajo ka dizajnuar për ta një koleksion bizhuterish të quajtur “Maji”, që në gjuhën swahili do të thotë ujë. Të ardhurat nga shitjet do të shkojnë për krijimin e puseve për ujin e pijshëm në Afrikë, duke mbështetur organizatën jo fitimprurëse “Drop in the Bucket”. Takimi u bë brenda “Beverly Wilshire”, hoteli luksoz dhe historik i Beverly Hills, ku është xhiruar një tjetër film i madh, “Pretty Woman”. Por sigurisht jo gjithçka do të shkonte mirë. Përfaqësuesja e marrëdhënieve me shtypin e aktores tregon se çdo gazetar ka vetëm tetë minuta në dispozicion për të bërë një intervistë. Një sfidë e vërtetë; në një periudhë kaq të shkurtër kohe nuk mund t’i bësh as dy pyetje. Gjithsesi rreziku duhet marrë parasysh. E ulur në një divan të kuq, e veshur me një fustan si sirenë, nga ku i dukeshin reçipetat dhe një gjerdan të bukur në qafë, Sharon Stone të mirëpret plot dashuri. Flet ngadalë dhe me zë të ulët. Sytë e bukur jeshil kanë një shkëlqim rrëzëllitës. Me të vërtetë është një nga gratë më të bukura në botë.
Për shumë vjet me radhë keni qenë kumbara e iniciativave të rëndësishme për të luftuar AIDS-in. Tani e mbështesni këtë fushatë për ujin e pijshëm në Afrikë. Si lindi bashkëpunimi mes “Clean water” dhe gurëve të çmuar?
Ideja më erdhi dy vjet më parë, kur dizajnova për herë të parë një koleksion për “Damiani”-n, atë për meshkuj. Doja t’u bëja nga një dhuratë miqve të mi të dashur, Elton John dhe shokut të tij David Furnish, dhe nuk gjeja asgjë që të më pëlqente për dy njerëz që kanë shumë stil.
Edhe Elton John ashtu si ju është shumë aktiv në fushën humanitare.
Lidhja është pikërisht beteja jonë e përbashkët kundër AIDS-it. Gjendja është shumë dramatike në Afrikë dhe kriza hidrike e bën gjithçka edhe më të dëshpëruar. Jo vetëm disa sëmundje të caktuara përhapen për shkak të ujit të ndotur, por për këtë arsye nënat e sëmura me AIDS nuk mund të përdorin qumështin artificial, duke i ushqyer të vegjlit me gji dhe transmetuar atyre kështu sëmundjen.
Edhe ju keni qenë në Afrikë për të parë nga afër situatën dhe për të verifikuar punën e organizatës që mbështesni.
Mjaftoi një udhëtim në Ugandë për të kuptuar se duhet të luftojmë shumë që të gjithë të kenë të drejtën e ujit të pastër për të shuar etjen dhe jo vetëm. Me “Damiani”-n jemi të lumtur që dorëzuam çekun e parë prej 200 000 dollarësh për ndërtimin e puseve, por ajo çka unë kam parë atje nuk mund të tregohet. Është vërtet e tmerrshme. Nuk arrij ta kontrolloj veten. Sa herë më kujtohet qaj.
Pse jepni kaq rrallë intervista?
Është e vërtetë, kohët e fundit bëj shumë pak intervista. Dua të qëndroj larg medias. Bëj një jetë shumë, shumë të rezervuar.
Nuk keni dëshirë të flisni me gazetarët?
Çfarë duhet t’ju them. Unë me njërin prej tyre edhe u martova!
Gjithsesi shumë nga kolegët tuaj i mbajnë kontaktet me publikun edhe përmes blogjeve dhe rrjeteve sociale…
Jo, jo nuk më intereson, nuk bën për mua. Dua të kem një jetë të timen private. Por duhet të jem e ndershme, gazetat gjithmonë më kanë ndihmuar, sidomos tani që merrem me çështje bamirësie. Në përgjithësi ata janë gati të dëgjojnë atë që unë them.
Ju keni deklaruar se e ndieni veten shumë larg nga koncepti i të famshmëve. Besoj se nuk jeni lodhur së qenë aktore…
Jo, aspak, madje e kam në program të punoj më shumë. Kam shumë projekte që më presin përpara. Por ai i njerëzve të famshëm është një debat i ndryshëm. Në karrierën time kam pasur ulje dhe ngritje, dhe në disa momente të caktuara maksimumin e famës. Por si të gjitha qeniet njerëzore pësojmë ndryshime të vazhdueshme, që gjithmonë i shohim nga këndvështrime të ndryshme. Kur u bëra një yll nuk ekzistonte koncepti i njerëzve të famshëm, ashtu siç kuptohet sot. Më kujtohet gjyshja ime, që përballë disa personazheve më thoshte: “E dashur, me çfarë merren këta njerëz? Kanë ndonjë talent? Këndojnë, kërcejnë? Çfarë kanë bërë për të qenë të famshëm?”.
Projektet e reja?
Po shkruaj një skenar të bazuar në jetën e babait tim Joseph Stone, që vdiq vitin e kaluar.
Si ka mundësi që jeni gjithmonë në formë?
Kam tre fëmijë, të gjithë djem, të cilëve u përkushtohem shumë. Përveç kësaj bëj edhe ushtrime fizike dhe luaj shpesh basketboll.
Po pasioni për bizhuteritë dhe peliçet?
Ideja qendrore e koleksionit “Maji” është se diamantet shpesh sigurohen jo në mënyrë të rregullt. Për sa u përket peliçeve më pëlqejnë ato me lëkurë leopardi. Nuk vdesin kurrë dhe e bëjnë një femër të duket gjithmonë super elegante.